Thellohen përplasjet e Thaçit me Nismën – PDK i quan joprofesionistë emrat për anëtarë të Bordit të AKA’së

Është komplikuar edhe më shumë miratimi në Parlament i Bordit të Agjencisë së Akreditimit. Kjo për shkak se partia më e madhe në pushtet, PDK, po e konsideron se anëtarët e propozuar nuk janë ekspertë të mirë qysh ishin në bordin e shkarkuar. Në këtë formë po konfirmohen përplasjet e PDK’së dhe Hashim Thaçit me NISMA’n. Partia e Limajt krejt këtë proces po e quan çkapje të arsimit.

Ish-partia e Hashim Thaçit është duke e konsideruar si joprofesionale listën me emrat e anëtarëve të ri të bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, të dërguar në Kuvend për miratim. Këtë qëndrim e ka dhënë deputeti i PDK’së, Nezir Çoçaj, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim.

Ai thotë se së shpejti do të procedohet në Kuvend, megjithatë nuk ka fjalë aspak të mira për bordin e ri të emëruar nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

“Absolutisht nuk mund të jetë më i mirë se Bordi që është shkarkuar. Ne e kemi pa atë listë e kemi diskutuar në Komision dhe e kemi vërejtur se nuk ka profesionalizëm të theksuar në atë listë”, ka thënë Çoçaj.

Në Bordin e shkarkuar të Agjencisë së Akreditimit ishin disa njerëz edhe të PDK’së. Në mesin e të cilëve Kryetari Blerim Rexha, i cili kishte qenë Zëvendësministër dhe kandidat për deputet të Partisë së Veselit. Shpejt është paralajmëruar edhe shkarkimi i Rektorit Marjan Dema si proces i çkapjes së arsimit prej njerëzve të PDK’së. Para disa ditësh është shkarkuar edhe pjesa e anëtarëve të Bordit të UP’së që vijnë nga Ministria e Arsimit.

Sidoqoftë, Bordin e ri të Agjencisë së Akrditimit, të cilin  nuk po e pëlqen deputeti i PDK’së, ministri i Arsimit e konsideron tejet apolitik dhe profesional. Në arsyetimin lidhur me përjashtimin e AKA’së nga EQAR, Bytyqi shkroi se do të përpiqen që brenda tre muajve të shpëtojnë nga largimi i tërësishëm nga EQAR.

“Ne sigurojmë opinionin, EQAR-in, palët e interesit në Kosovë, se ne i mbajmë duart politike larg këtij institucioni dhe secilit institucion arsimor. Këtë e dëshmon lista me emra që ne ia kemi ofruar Parlamentit për miratim”, thuhej në shkrimin e ministrit.

Megjithatë, PDK nuk e konsideron të tillë, së paku me aq sa thotë deputeti i saj. Partia e Kadri Veselit vazhdon të përkrahë strukturat që ishin vendosur kur e drejtonin vetë arsimin.

“E kemi sjellë në komision hir të asaj se nuk ka Bord, përndryshe, për si ekspertë nuk e kemi përshtypjen, asnjëherë s’e kemi pasur ne anëtarit e Komisionit, se janë eksperte e kanë për të bërë punë më të mirë se bordi paraprak”, ka thënë Çoçaj për Express.

Grupi Parlamentar i PDK’së nuk ka vendosur ende se çfarë qëndrimi do të kenë kur do të kërkohet miratimi i Bordit të ri të AKA’së në Kuvend, po thotë se edhe nëse nuk janë kundër, kjo do të ndodhë për shkak që të mos lihet bordi i zbrazur.

“Do ta marrim vendimin si Grup Parlamentar”, thotë zyrtari i PDK’së.

Nuk jep përgjigje se si do të sillen me Bordin e AKA’së por thonë se ndonjëherë edhe mund të japin votën pro vetëm të mos bëjnë dëme edhe më të mëdha.

“Por, ndonjëherë po duhet që për hir të proceseve, për hir që s’ka bord, ta votojmë një bord që nuk mund ta kryej punën profesionale me të cilën ngarkohet sipas Ligjit të Arsimit të Lartë”

Shkarkimi i bordit të Agjencisë së Akreditimit nga ministri i Arsimit, por me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinajt menjëherë pasi formoi Qeverinë çoi në përjashtimin e agjencisë në fjalë nga një institucion tejet i rëndësishëm evropian, ai i Regjistrit për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Në këtë situatë, Shyqiri Bytyqi doli me një qëndrim, duke thënë se do të angazhoheshin që të rregullohej dëmi i shkarkuar, me bordin e ri të emëruar. Lista me emrat e anëtarëve të ri të bordit po pret për t’u proceduar në Kuvend e më tutje për t’u miratuar.

Pas përjashtimit të AKA’së nga EQAR, u raportua se kryeministri kishte vendosur që të shkarkonte ministrin e Arsimit që vjen nga radhët e Nismës.  Ky lajm u demantua nga Qeveria, ndërsa partia e Fatmir Limajt akuzonin ish-drejtuesit e Arsimit, pra PDK’në –  që e donin Bytyqin të shkarkuar, vetëm pse ky po ua largonte njerëzit e tyre të vënë në pozita të larta të Arsimit.

“Ka kaluar koha kur nga kuzhinat e shpifjes dhe propagandës, dalin lajme të tilla nga banda të cilat e kanë kapur shtetin dhe ende synojnë ta drejtojnë atë”, ka thënë dje këshilltari i Limajt, Endrit Shala.

Ministri i Arsimit përplasjen më të madhe me Presidentin Hashim Thaçi e ka pasur kur ka nisur procedurat e mbylljes së universiteteve publike në Kosovë. Kishte paralajmëruar se do t’i degradonte Universitetet e hapura nëpër qytete nëse të njëjtat nuk plotësojnë kriteret. Kishte përmendur se vendimi do të merrej në muajin janar. Por, është muaji mars dhe ende s’ka vendim se çka do të ndodhë me gjashtë universitetet publike për të cilat Ministri i Arsimit pati thënë se duhet të mbesin dy. /Express/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme