Presidenti rus, Vladimir Putin ka premtuar “fitore” për Rusinë në një marsh zgjedhor në Moskë, gjatë ditës së sotme.
Putin i ka bërë këto komente vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Rusi.
“Ne dëshirojmë që shteti ynë të jetë i ndritur dhe të shikojë drejt së ardhmes, ne do të bëjmë gjithçka që fëmijët dhe nipat tanë të jenë të lumtur”, ka thënë ai derisa audienca brohoriste në stadiumin Luzhniki.
“Askush nuk do ta bëjë këtë për ne. Andaj kur ta arrijmë këtë, dekadat tjera dhe i gjithë shekulli 21 do të jetë i shënuar nga fitoret tona”, ka thënë Putin.
Para fjalimit të tij, atletët olimpikë dhe persona të tjerë të famshëm janë ngjitur në skenë për të treguar mbështetjen e tyre për presidentin rus.
Putin ka qenë president apo kryeministër i Rusisë nga viti 1999.
Ai tani kërkon një tjetër mandat gjashtë vjeçar në Kremlin, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 18 mars.
Popullariteti i Putinit, kontrolli i tij në institucione të fuqishme dhe ajo që kritikët e quajnë si shtypje të kundërshtarëve ndër vite, do t’i sigurojnë presidentit aktual edhe një tjetër fitore.
Më 1 mars, gjatë fjalimit të tij vjetor drejtuar kombit, Putin ka prezantuar një gjeneratë të re të të armëve të “pamposhtura” ruse.
Deklaratat e Putinit për armët kanë rritur shqetësimet për një garë të re armësh, në diskutimet e liderëve botërorë, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin amerikan, Donald Trump dhe presidentin francez, Emmanuel Macron