Lëvizja Studentore për Barazi – “STUDIM KRITIKË VEPRIM” në Universitetin e Mitrovicës, organizoi një aksion simbolik për të kundërshtuar vazhdën e, siç thonë, “rehatimit të familjarëve të pushtetarëve në institucionet publike”.
Me zgjedhjen e gruas së Presidentit Hashim Thaçi, Lumnije Thaçit, prodekane në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, “vazhdohet shfrytëzimi i shtetit për të përfituar prona, e për të rehatuar familjarë”.
“Gjatë kohës sa aktivistët po vendosnin parullat me mbishkrimet ‘Lume-t na për PISA’, ‘Familja-Prona-Shteti-Lumnije Thaçi’, Policia e Kosovës ndërhyri me sprej lotsjellës ndaj aktivistëve duke i lënduar studentët Behar Hasani, Berna Ramaxhiku, Ilir Zeneli dhe Valton Peci të cilët u shoqëruan në emergjencë”, thuhet në njoftimin për media të SKV-së.
Përveç sprejit, sipas kësaj Lëvizjeje, “Policia përdori edhe dhunë fizike ndaj aktivistëve duke i tërhequr zvarrë dhe dhunshëm i arrestoi disa prej tyre”.
AKV thotë se aktivistët e arrestuar janë Rejhan Fejza, Dren Gashi, Fatlum Murseli, Shkëlqim Salihu, Enis Shartari, Arbër Zeneli dhe Egzon Mehmeti.
“SKV dënon dhunën e përdorur ndaj aktivistëve tanë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të studentëve të arrestuar”, përfundon komunikata e SKV-së.