Ai tha se shqetësimet e studentëve janë reale dhe lidhen kryesisht me vullnetin dhe angazhimin e tyre për të depolitizuar sistemin arsimor në Kosovë dhe për të garantuar zhvillim cilësor të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.
Ministri i siguroi studentët se janë në një linjë dhe se kontributi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe i veçantë, në mënyrë që bashkë me shoqërinë civile dhe gjithë mekanizmat tjerë të monitorojnë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe ta vlerësojnë pavarësinë e funksionimit të kësaj agjencie.
Bytyqi kërkoi edhe një herë që bashkëpunimi me përfaqësuesit e organizatave studentore të rritet dhe të forcohet, në mënyrë që MAShT të jetë në dijeni për secilin shqetësim që studentët e kanë dhe së bashku të mund t’u jepen zgjidhje problemeve që janë krijuar ndër vite në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
“Jam i inkurajuar me vizionin dhe përkushtimin e organizatave studentore, për t’i dhënë një drejtim të ri sistemit arsimor në Kosovë, në mënyrë që t’u bëjmë ballë faktorëve të jashtëm që tentojnë të cenojnë zhvillimin e arsimit në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.