Përplasjet për Demarkacionin në mes të LDK’së dhe AAK’së nuk duken aq të forta. Të dyja partitë, që ditë më parë drejtonin akuza për marrëveshjen e arritur që pretendohej t’i jepte zgjidhje shënimit të kufirit me Malin e Zi, e ku Kryeministri paralajmëronte kthim në pikën zero, duket se mund të tejkalohen lehtë . Deputeti i AAK’së Daut Haradinaj beson se edhe për këtë do të ketë mirëkuptim me partinë e Isa Mustafës. Ndonëse Kujtim Shala i LDK’së thotë se marrëveshja është ashtu siç e ka dhënë subjekti i tyre.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të mërkurën e kaluar e kishte akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se e ka ndryshuar marrëveshjen mes partive për Projektligjin për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Kishte thënë se në tekstin që ka dalë nga Komisioni për Punë të Jashtme, jo vetëm që ishte ndërruar renditja e pikave të dakorduara, por Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror, është renditur si pikë e fundit dhe jashtë Pjesës përbërëse të këtij ligji.
Por Avdullah Hoti i LDK’së e kishte sqaruar këtë situatë përmes një shkrimi në Facebook. Marrëveshja për demarkacion tha se është arritur të enjten mbrëma (22 shkurt) me partitë e koalicionit (PDK dhe Nisma). Ai ka thënë se po atë natë Haradinaj nuk dëshironte te komunikonte fare. “Te shtunën jemi njoftuar se ai e ka pranuar atë”, ka shtuar Hoti.
Sidoqoftë, ndonëse ende nuk është caktuar seanca e radhës për Demarkacionin, duket se kjo pjesë në mes të dy partive ku përplaseshin për marrëveshjen ka ndryshuar. Kujtim Shala, deputet i LDK’së njëherësh edhe nënkryetar i Kuvendit ka thënë për Express se marrëveshja mbetet ashtu siç e ka dhënë partia e tyre. Pranon se deri më tani nuk kanë pasur më ndonjë komunikim me AAK’në.
“Marrëveshja është ajo që e kemi dhënë ne dhe se nuk kemi komunikuar më tutje me AAK’në” tha shkurtimisht Shala.
Shumë optimist se marrëveshja do të gjejë zgjidhje dhe qytetarët shpejt do të lëvizin pa viza, e thotë për Express edhe deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj. Ai beson se edhe për përplasjet e fundit me LDK’në për marrëveshjen për Demarkacionin, do të arrihet mirëkuptim.
“Pas një kohe të gjatë dhe përplasjeve të shumta, erdhi deri tek një marrëveshje në mes të dy presidentëve për rishikimin e gabimeve potenciale në drejtim të Kullës dhe Qakorrit. Kjo bëri që të inkoperohen në një ligj dhe t’i jepet zgjidhje kësaj pengese , e cila e hap rrugën në drejtim të liberalizimit të vizave”, shprehet Haradinaj.
Zyrtari i AAK’së thotë se është optimist se ky ligj do gjej mbështetje të gjerë te përfaqësuesit e popullit.
“Nuk po falim tokë por e korrigjojmë gabimin e bërë, e që kjo ishte kërkesa e jona, komisioni shtetëror i Bulliqit duhet të shihet si storje e mirë për vendin tonë. Jemi afër ta përfundojmë këtë temë duke rikthy kullën e Qakorrin dhe duke marrë liberalizimin”, ka theksuar ai.
Seanca e radhës për Demarkacionin është paralajmëruar të mbahet këtë javë, por nuk është përjashtuar mundësia që e njëjta të mbahet javën tjetër.