Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk e ka përjashtuar mundësinë që votimi i demarkacionit të shtyhet për javën tjetër, me arsyetimin se duhet të evitohen keqkuptimet e krijuara javën e kaluar.
Por arsyeja kryesore mbetet mungesa e përgjigjes së Listës Serbe sa i përket votës pro demarkacionit, shkruan sot Koha Ditore.
“Jemi duke punuar me partitë e tjera, që ta evitojmë një keqkuptim të vogël që u bë temë javën e kaluar. Këto ditë shumë shpejt do ta kemi seancën, dhe kjo çështje do të përfundojë. Ka mundësi të shkohet javën tjetër, me rëndësi të mos bëjmë gabime siç bëmë javën e kaluar”, ka thënë Veseli.
“Keqkuptimi” i krijuar ka të bëjë me përmbajtjen e ndryshuar të Projektligjit për demarkacion.
Ditën kur dështoi të votohet demarkacioni, AAK-ja akuzoi LDK-në se ka ndryshuar renditjen e pikave në Projektligj, duke e lënë raportin e Komisionit Shtetëror si pikë të fundit.