Në Salisbury, në Britaninë e Madhe po trajtohen në spital dy vetë me dyshime për helmim. Njëri prej tyre ka qenë spiun rus. Historia të kujton rastin e njohur të eliminimit të Aleksander Litvinenkos.
Sipas të dhënave të policisë në jugperëndim të Londrës, në Salisbury po trajtohen në stacionin intensiv të klinikes lokale me dyshimin për helmim një burrë në moshën 60-70 vjeçare dhe një grua mes moshës 30 e 40 vjeç. Të dy u shtruan në spital me shenja helmimi të një substance të panjohur.
Sipas BBC dhe mediave të tjera me gjasë bëhet fjalë për Sergej Skripal, një ish-kolonel i shërbimit sekret ushtarak rus. Ai ka punuar me porosi të britanikëve dhe në vitin 2006 është dënuar në Rusi për shkak të spiunazhit për Britaninë e Madhe me 13 vjet burgim. Ndërsa gazeta britanike, “The Guardian” raporton se Skripal duhet të jetë helmuar me helmin e fortë Opiat Fentanyl.
Ky rast sjell në vëmendje vdekjen e ish-agjentit të shërbimit sekret rus dhe kritikut të Kremlinit, Aleksander Litvinenko që ndërroi jetë i helmuar me polonium në një spital të Londrës. Në raportin hetimor britanik nënvizohet se vrasja është dhënë me porosi të shërbimit sekret rus, FSB, dhe miratuar nga presidenti, Putin, një akuzë që rëndon deri më sot marrëdhëniet britaniko-ruse. Në lidhje me helmimin e mundshëm në Salisbury policia bëri fjalë për një “incident të rëndë” dhe një sërë institucionesh janë aktivizuar për këtë rast.