Partnerët e koalicionit qeverisës shpresojnë se nesër apo më së largu gjatë javës së ardhshme do të kalojë Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Shpresat për ta miratuar Marrëveshjen i kanë te votat e Listës Serbe dhe të disa deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje”. Analistët politikë thonë se këta dy skenarë janë të komplikuar.
Pavarësisht se ende nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme, koalicioni qeverisës mbetet optimist se Marrëveshja e Demarkacionit do të përmbyllet këtë javë, më saktësisht ditën e premte (nesër).
Megjithatë, ata nuk kanë përjashtuar mundësinë që vazhdimi i seancës për Demarkacionin të mbahet edhe javën që vjen.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kjo çështje do të përmbyllet më së largu javën tjetër.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë për “Zërin” se koalicioni është duke punuar që ta arrijë një konsensus të gjerë politik në mënyrë që t’i japë epilog Marrëveshjes së Vjenës.
Përfaqësuesit e këtij koalicioni më tutje kanë bërë të ditur se janë në diskutime me palët e tjera që nuk po e mbështesin këtë marrëveshje, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe.
Nga ana tjetër, përderisa ditë më parë ka pasur deklarata nga drejtues të koalicionit qeverisës se ka deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” që do ta votojnë Demarkacionin, deputetët e kësaj partie kanë theksuar se nuk kanë ndërruar qëndrim