Qeveria e Ramush Haradinajt ka shpenzuar për gjashtë muaj 5.6 milionë euro rezerva të shtetit. Kështu ka bërë të ditur, shefi i GP të LDK’së, Avdullah Hoti gjatë një konferencë për media.
“Nga analizat që stafi jonë u ka bërë punëve të qeverisë, Qeveria Haradinaj ka shpenzu 5.6 milionë euro të rezervave shtetërore”, ka thënë Hoti, shkruan Periskopi.
Hoti ka thënë se krahasuar me Qeverinë Mustafa, qeveria aktuale ka shpenzuar pesë herë më shumë nga rezerva e shtetit.
“Nëse doni me ba një krahasim me Qeverinsë Mustafa, për gjashtë muaj qeveria Mustafa ka shpenzu 1.3 milionë euro nga rezerva shtetërore. Pra, janë pesë herë më shumë që janë shpenzu nga mjetet”, ka thënë Hoti, shkruan Periskopi.
Hoti ka thënë se LDK do të kërkojë interpelancë edhe për vendimin e fundit të kryeministrit Haradinaj për faljen e 1 milionë eurove për rrymën e shpenzuar për serbët në veri.
“Vendimi i fundit që është bukur skandaloz është ndarja e 1 milionë euro për rrymën e shpenzuar në very. Kemi dorëzu kërkesën për interpelancë për këtë çështje dhe presim që ky veprim do të shfuqizohet”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se LDK tashmë ka gati lëndën për ta dërguar në Kushtetuese, edhe sa i përket vendimit të kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve.
“Një çështje që kemi bë të qartë që do ta dërgojmë në Kushtetuese është vendimi për faljen e borxheve. Kryeministri e ka shfuqizu vendimin e tij joligjor për faljen e borxheve. Ne po përgatitemi për zgjedhje të reja sepse besojmë se qytetarëve duhet t’u kthehet normaliteti i gjendjes në vend. Vendimet e qeverisë për të shfrytëzu mjete vend e pa vend nuk po ndalen”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ka alarmuar për shterjen e rezervave të shtetit.
Kërkesës së kryeministrit Haradinaj që të ndahen afër 1 milion euro për të shënuar 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Hamza i është kundërvëënë duke thënë se kjo nuk mund të ndodh.
“Rezervat e shtetit po harxhohen”, ka thënë ai./Periskopi.