Problemet e brendshme, që prodhojnë politikë të jashtme

E martë, 18 Tetor 2016   –   Sakte.net 

As Greqinë dhe as Kosovën nuk e pushtojmë dot, se kush i mban gjithë ata shqiptarë me bukë. Nja 3 milionë në Kosovë dhe nja 1 milion në Greqi. Janë më shumë se ne. Merreni më lehtë se, sikur ikën Hëna e Plotë. Dhe dy ditë ka

 

Ka një kërleshje nervash në Tiranë, me Athinën zyrtare dhe Kosovën, që më shumë se sa të tremb, të bën për të qeshur, kur e shikon nga buron. Një deklaratë idiote e ministrit të Jashtëm grek, i cili ndjehet i frustruar nga karshillëku i qeverisë shqiptare për çështjen çame, e ka çuar situatën në ekstrem, duke folur për matje forcash dhe histori trimërish. E gjitha është në të vërtetë një frustrim personal i Ministrit Kotzias, i cili e ka menaxhuar keq personalisht ekspozimin e çështjes çame në politikën greke, dhe ia kanë faturuar kundërshtarët si tradhti. I kompleksuar nga ky fakt, ai me sa duket vendosi t’u tregojë atyre se e urren Shqipërinë më shumë se ata dhe na “shpalli luftë”.

Për fat, këtej brenda kufirit qeveria nuk ka reaguar dhe ka bërë detyrën, duke mos e marrë seriozisht hallin personal të zotit Kotzias, por ka një shpërthim politikanësh dhe gazetarësh, që po bëjnë gati thirrje për t’u futur “nën armë”.

Merreni më qetë! Greqia është fqinji ynë më i rëndësishëm perëndimor, të cilin as nuk e zhbëjmë dot si fqinj, as si vend anëtar të BE, dhe as si vend me plot hije të errëta nacionalizmi dhe ekstremizmi fetar. Bile as grekët nuk e ndryshojnë dot kaq lehtë këtë histori të tyre.

Por nëse e shikojmë historinë se si arritëm brenda dy javësh deri këtu, e kuptojnë që gjithçka nisi nga Tirana. Filloi si problem i brendshëm i Shqipërisë, si rivalitet mes Metës dhe Ramës, si një përpjekje për të treguar diferencat mes dy partnerëve në qeveri për këtë çështje dhe u trash tek problemi çam dhe pastaj zinxhir, shkoi deri këtu. Qetësohuni, se nuk na ka shpallur luftë askush. I kemi shpallur luftë njëri-tjetrit.

E njëjta situatë tragji-komike po zhvillohet dhe me Kosovën. Ajo që ndodhi pas Samitit të Beogradit ishte më shumë një orkestrim nga Tirana, i flakës së kashtës në Prishtinë. Ideja se kryeministri i Shqipërisë duhet të marrë leje në Kosovë, kur flet për Kosovën, është sa qesharake, aq dhe fyese nëse e merr seriozisht.

E vërteta është se raporti interesant personal dhe politik i krijuar mes dyshes Rama-Vuçiç e dëmton lidershipin e Kosovës, pasi i heq atij të vetmin mjet presioni që ka para bashkësisë ndërkombëtare, atë të të qenit “bashkëpunues” me Serbinë. Pra, në një farë mënyre, gjesti i Ramës lë pa “bukë” Thaçin dhe Mustafën, dhe ndoshta ata tremben se nëse nuk kanë çfarë ofrojnë tjetër veç “bashkëpunimit” që po ua vjedh Rama, mund të kenë probleme. Dhe aq më megallomane bëhet situata, kur Enver Hoxhaj thotë se interesat e Kosovës me Serbinë i përfaqëson Uashingtoni e jo Tirana, duke i prishur punë dyfish dhe SHBA-së. Në mënyrë vulgare, mund të themi se është një garë se kush po bëhet më bashkëpunues me Serbinë, që t’i bjerë në sy SHBA, ose Merkelit. Kjo ka ngjallur problem me Ramën dhe brenda vendit, dhe brenda koalicionit.

Nëse skanon flakëndezësit e kësaj zhurmnaje në Prishtinë, e kupton se ata më shumë flasin në emër të problemeve që Rama ka në Tiranë, se sa në emër të problemit që ata kanë me Edi Ramën.

Është një situatë komike, kur problemet e brendshme të Shqipërisë, po eksportohen si probleme me Kosovën dhe që shkon në ekstrem, kur qeveria e Kosovës, njofton zyrtarisht se na ka shpallur armik, pasi Edi Rama ka guxuar të flasë në emër të Kosovës.

E gjithë kjo situatë tragji-komike më kujton marsin e vitit 1997. Ishim mbledhur të gjithë gazetarët në Rogner dhe shikonim Euronews. Lajmi i parë ishte Shqipëria me banditë nëpër rrugë. Lajmi i dytë Beogradi me protesta të Gjingjiçit para Bashkisë në Beograd. Lajmi i tretë Bullgaria me kusi e tenxhere, duke hyrë në Kuvend. Lajmi i katërt Rumania me protesta popullore në rrugë. Befas më del para ambasadori i ish-Jugosllavisë në Tiranë, një ish- malazez që fliste shqip dhe më pyeti çfarë thonë lajmet. Ibrahim Rugova ka deklaruar, i thashë plot humor dhe cinizëm, se “aktualisht Kosova është Republika më stabël në Europën Juglindore”.  Ambasadori u hutua shumë dhe pastaj nisi të qeshë. Në fakt Rugova sa e kishte thënë në orën dhjetë paradite atë deklaratë cinike për shkak të një inati me Berishën, që ia kishte nxirë jetën duke u përpjekur ta kontrollonte dhe ta dominonte, duke tentuar të përdorë ndezjen e Kosovës për të shpëtuar lëkurën e vet. Dhe Rugova kishte gjetur ditën të tallej.

Kështu që qetësohuni. Se as Greqinë dhe as Kosovën nuk e pushtojmë dot, se kush i mban gjithë ata shqiptarë me bukë. Nja 3 milionë në Kosovë dhe nja 1 milion në Greqi. Janë më shumë se ne. Merreni më lehtë se, sikur ikën Hëna e Plotë. Dhe dy ditë ka.

/Tema

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme