Nënkryetari i LDK-së Agim Veli, është shprehur kundër ftesës së kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, për anëtarësim në LDK.Sipas Veliut, ftesat përmes mjeteve të komunikimit nuk funksionojnë kur bëhet fjalë për “shtegtarë”, ashtu siç është shprehuar ai, duke aluduar tek Ahmeti.“Bashkimi me filozofinë tonë politike, asesi nuk funksionon mbi bazën e ftesave e nominimeve përmes televizioneve publike, e aq më pak kur bëhet fjalë për shtegtarë, që ikin nga foletë e tyre të djegura”, tha Veliu.
Megjithatë, ai ka theksuar se LDK mbetet e hapur gjithmonë, por sigurisht që ata që i bashkohen këtij rrugëtimi duhet të kenë kryefjalë të punës dhe angazhimit politik frymën e shtetndërtimit, të cilën e kultivon LDK-ja ndër vite.“LDK është subjekt politik serioz dhe me traditë të gjatë, me struktura e me anëtarësi të organizuar.
Në LDK gjithmonë janë anëtarësuar dhe bashkohen çdo ditë njerëz të lirë e me vullnet për të punuar në forcimin e Republikës së Kosovës.
LDK mbetet e hapur gjithmonë, por sigurisht që ata që i bashkohen këtij rrugëtimi duhet të kenë kryefjalë të punës dhe angazhimit politik frymën e shtetndërtimit, të cilën e kultivon LDK-ja ndër vite”, ka shkruar veliu, përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare rrjetin shoqëror “Facebook”Ndryshe, një ditë më parë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka ftuar Ahmetin, që të bëhet pjesë e LDK-së. Selmanaj ka thënë se kjo nuk është e pamundur, sepse shumë anëtarë të partisë FER i janë bërë pjesë e LDK-së.“Lidhja Demokratike e Kosovës është e hapur për të gjithë personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj partie. Normalisht, që vija të kuqe kemi ndaj atyre njerëzve që kanë probleme me ligjin, e që Shpend Ahmeti nuk është njëri nga ata persona. Ka pasur raste kur kundërshtarë të tjerë të LDK-së, janë anëtarësuar në këtë parti, e kemi rastin e Alma Lamës. Prandaj, duhet mos të harrojmë se një numër i madh i ish-anëtarëve të FER-it kanë qenë të lidhur me LDK-në, por në fund kanë vendosur të bashkohen me VV. Është shumë logjike dhe racionale që ai të bashkohet në LDK”, ka thënë Selmanaj në Tv21.