​Vjedhja që u shndërrua në tragjedi, kush i vrau vëllezërit Maloku në Malishevë?

Plaçkitjet kishin qenë shqetësim i javëve të fundit për banorët e fshatit Plloqicë të Malishevës. Por, një e tillë mbrëmë është shndërruar në tragjedi. Hajnat në orët e para të së premtes ia mësynë për të plaçkitur shtëpinë e vëllezërve Shani e Bahri Maloku nga ky fshat. Por, pasi u zbuluan nga pronarët të cilët u vunë në ndjekje të tyre, ata qëlluan për vdekje me breshëri plumbash dy vëllezërit 44 e 33 vjeç. Express sjell rrëfimin e familjarëve për këtë tragjedi
Shani e Bahri Maloku edhe mbrëmë, sikurse ndodhte shpesh, kishin mbledhur në shtëpinë e tyre djemtë e xhaxhallarëve për të luajtur me letra. Ndërkohë, sa kishte kaluar mesnata, njëri prej burrave kishte dalë jashtë, për të bërë një pauzë nga loja.

Gjatë qëndrimit në oborr, ai vërejti dy persona të dyshimtë që po kryenin vjedhje në pronën e nikoqirëve të lojës. Hajnat kishin drejtuar një armë automatike në drejtim të burrit, që më vonë u bë dëshmitar i një vrasjeje të dyfishtë që ndodhi në Plloqicë të Malishevës, të premten rreth orës 01 të mëngjesit.

Ky kishte bërtitur më zë, për t’ua bërë me dije burrave të tjerë të ndërprisnin lojën e të dilnin nga shtëpia. Burrat u vunë në vrap prapa plaçkitësve, deri në momentin kur njëri prej tyre qëlloi me armë automatike për t’i lënë të vrarë pronarët e shtëpisë ku ndodhi plaçkitja, Shani e Bahri Malokun.

Kështu ua ka rrëfyer tragjedinë e mbrëmshme familjarëve të tjerë, djali i axhës së viktimave 44 e 33-vjeçarë.

Versionin që di familja, sipas dëshmitarit, të premten në mesditë ia ka shpjeguar Gazetës Express një tjetër familjar, që qëndronte në rend për të pritur të afërmit që vinin për të parë e ngushëlluar familjen Maloku nga Plloqica e Malishevës.

“Këta janë kanë 5-6 vetë tu lu. Ni djalë i mixhës tyne u dal në oborr, masi e ka kry renin e lojës. O zatet në ta edhe ata ja kanë nxjerrë kallashin e i kanë thanë mos luj, po ai prej tute ka piskat, edhe tanë janë dalë. Ata kanë ikë, këta i kanë njekë, edhe qyshtu”, rrëfen ky familjar për tragjedinë që ndodhi te familjarët e tij.

Ai thotë se dëshmitari ka shpjeguar se plaçkitësit kanë qëlluar në momentin që dy vëllezërit e vrarë kanë qenë shumë afër për t’i kapur plaçkitësit.

“I kanë pas shumë afër këta m’i kapë”, thotë ai.

Sipas tij, cak për vjedhje ishin dy lopët që i mbante babai i viktimës në ahurin e tyre.

Edhe pse ka parë ngjarjen, dëshmitari, sipas familjarëve, ka thënë se nuk ka mundur t’i identifikojë plaçkitësit. Ai ka treguar se në momentin kur kanë qëlluar, të gjithë janë ndalur për t’iu ofruar ndihmë viktimave.

Policia e Kosovës, pak orë pas krimit, paraditen e të premtes ka arrestuar dy të dyshuar për këtë vrasje, po të njëjtit janë liruar pas disa orësh.

Të arrestuarit kishin qenë kushërinj të viktimave, nga i njëjti fshat. Por, familjarët e të vrarëve nuk besojnë që kushërinjtë e tyre të arrestuar janë dorasit.

“Kerkush hala s’e di saktë. S’ma merr menja që është ashtu. Ata qetu i kanë shpijat”, tha për Express një familjar i tyre.

“Ishalla s’osht i joni. Se me kanë i joni atëherë q**a nënën”, thotë një tjetër i afërm i familjes së viktimave dhe të dyshuarve.

Plaçkitja që ndodhi mbrëmë, e që përfundoi me viktima, nuk është e vetmja që kishte ndodhur në këtë fshat, në javët e fundit.

Madje, një banor thotë për Gazetën Express se dy javë më parë, natën i ishte vjedhur një veturë një fqinji të tyre.

“Para dy jave ni kerr “Tauran” ja kanë vjedhë”, thotë burri, duke treguar me gisht në drejtim të shtëpisë së pronarit që ishte vjedhur vetura, në shkurt të këtij viti.

“Edhe ata i kanë hetu, po janë ikë hajnat”, shpjegon ai.

Ndryshe, viktimat Shani Maloku (44 vjeç) dhe Bahri Maloku (33 vjeç) kanë ndërruar jetë pasi janë dërguar në Shtëpi të Shëndetit në Malishevë njëri prej tyre, gjegjësisht në QKUK tjetri.

44-vjeçari kishte qenë pjesëtar i FSK-së, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Ndërsa, edhe i vëllai tjetër përveç gruas ka lënë pas edhe dy fëmijë.

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme