Prokurori Kelmendi: Deri në qershor do t’i kërkojmë dosjet nga Haga

Askush nga institucionet vendore nuk i ka kërkuar dosjet nga Tribunali i Hagës. Kjo nuk ka ndodhur deri më sot, përkundër faktit se Tribunali Ndërkombëtarë i Hagës e ka përfunduar misionin e vet dhe nuk ka asnjë pengesë procedurale, e as ligjore që shteti i Kosovës, gjegjësisht Prokuroria e Shtetit t`i kërkojë ato dosje.
Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, në Prokuroria Speciale të Kosovës e cila ka mandat të plotë të merret me hetimet për krimet e luftës, të kryera në vitet 1998-99 nuk ka shprehur interesim deri më sot që t`i ketë ato lëndë në arkivat e saj.

Kryeprokurori i PSRK-së, Reshat Millaku, siç tregoi hulumtimi i transmetuar nga DnK-ja, ka deklaruar se askush nga Haga nuk ua ka sjellë dosjet.

“Haga nuk ka dërguar ndonjë lëndë në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), prej sa unë jam kryeprokuror. Prokuroria e Hagës ka për detyrë që nëse ka ndonjë lëndë që nuk e ka vendosur t’ ia përcjell në kompetencë të PSRK”, ka thënë Millaku.

Mirëpo, ndryshe ka folur Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit. Ai e pranon se dosjet e Hagës janë të domosdoshme të jenë në arkivat e Prokurorisë vendore, pasi sipas tij ato mund të shërbejnë për hetime në lëndët të cilat janë duke i pranuar nga EULEX-i.

Ai e ka pranuar se janë vonuar t`i drejtohen zyrtarisht Tribunalit të Hagës, mirëpo ka premtuar se do shumë shpejtë do ndërmerren hapa konkret për t`i kërkuar të gjitha dosjet për krimet e luftës që gjenden në Hagë.

“Ne jemi duke e hartuar një strategji pikërisht për krimet e luftës dhe jemi në fazën e pranim-dorëzimit të rasteve të luftës nga prokurorët e EULEX-it. Kompetencë ekskluzive e këtyre rasteve ka qenë tek prokurorët e EULEX-it. Dhe në këtë strategji që jemi duke e hartuar do të përfshihen edhe rastet që i ka pas Tribunali i Hagës. Dhe sa më shpejtë që do të përfundojë dorëzimi i lëndëve tek ne, ne do t`i drejtohemi me kërkesë Tribunalit për t`i kërkuar dosjet”, ka thënë prokurori i shtetit Besim Kelmendi.

Ai ka thënë se me një kërkesë të tillë drejtuar Tribunalit të Hagës, do të dëshmohet se Kosova është një shtet serioz dhe se janë të gatshëm si Prokuroi e Shtetit që t`i trajtojnë të gjitha raste që kanë të bëjnë me krimet e luftës.

Kelmendi ka përmendur muajin qershor si afat kur pritet që t`i drejtohen zyrtarisht Tribunalit për t`i kërkuar dosjet, të cilat sipas tij do të mund t`i shërbejnë prokurorëve për të kryer hetimet e tyre rreth rasteve të krimeve të luftës.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme