E mërkurë, 19 Tetor 2016 – Sakte.net
Më shumë se 72 ndërmarrje shoqërore (NSH) në gjithë territorin e Kosovës edhe më tutje vazhdojnë të jenë në dorë të uzurpatorëve të ndryshëm.
Aksioni i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i përkrahur nga Policia e Kosovës për lirimin e NSH-ve, pati filluar në muaj prill, rreth 4 muaj pasi gazeta “Zëri” pati publikuar një hulumtim rreth uzurpimit të pronave shoqërore edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit.
Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së, thotë se të dhënat e fundit flasin për rreth 72 uzurpime të pronave shoqërore të evidentuara.|
“Agjencia ka bërë identifikimin e uzurpatorëve dhe ka publikuar në uebfaqen zyrtare listën me emrat e uzurpatorëve dhe njëkohësisht vazhdon me procesin e identifikimit të uzurpatorëve dhe shfrytëzuesve të jashtëligjshëm, ashtu siç vazhdon edhe me ushtrimin e padive pranë gjykatave kompetente ndaj uzurpimeve për lirimin e pronës dhe kompensimin e dëmit”, ka bërë të ditur Kaloshi për gazetën “Zëri”.