Fitim Dema nga Kaçaniku është kosovari i dënuar më 2 vjet e gjysmë burgim për terrorizëm, që po arratiset nga vuajtja e dënimit për pjesëmarrje në ISIS. Dema ishte një nga dhjetëra kosovarët që në vitin 2013 iu binden thirrjes së imamit nga Gjilani, Zekria Qazimi për t’iu bashkuar konflikteve të armatosura në Siri e Irak.
Ka disa muaj që Fitim Dema, një i dënuar për terrorizëm, nuk po paraqitet në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të dëshmuar në një proces tjetër gjyqësore për të njëjtat akuza, ndaj Gazmend Halitit. Mungesa e dëshmitarit kryesorë në këtë rast ishte arsyetuar nga gjykata për gjoja shkaqe shëndetësore.
Por, përveç mungesës për të dëshmuar, i dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim, kaçanikasi Fitim Dema, po refuzon t’i përgjigjet edhe urdhëresës së gjykatës për të vuajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij, janarin e vitit të shkuar.
Të mërkurën, Policia ka shkuar për ta arrestuar terroristin nga Kaçaniku, pasi e kishte lokalizuar vendndodhjen e tij, por ai sërish është arratisur.
“Policia ka pasur urdhëresë për arrestimin e personit në fjalë për vuajtjen e dënimit. E ka identifikuar lokacionin. Pasi policia ka shkuar në lokacion, personi është larguar dhe policia nuk ka arritur ta arrestojë. Tash është në kërkim policor”, i ka thënë mediave të enjten zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Agim Gashi.
I dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste, në Siri kishte udhëtuar në nëntor të vitit 2013, raporton Gazeta Express.
Rrugëtimin e tij për në ISIS e kishte mundësuar, përmes bashkëpunëtorëve të tij,imami i dënuar për rekrutim të terroristëve kosovarë, Zekria Qazimi.
Por, para se Dema të nisej për në Siri, bashkëpunëtori i Qazimit, Ilir Berisha, po ashtu i dënuar për terrorizëm, kishe dyshime nëse i riu nga Kaçaniku me të vërtetë e kishte ndarë mendjen për xhihad.
“O Ilir, zoti mos e baft nuk i bi pishman un o vlli em un punën qe 1 najv e kam len per qeta hajt se nimi”, i ishte përgjiur me SMS, Fitim Dema, dyshimeve të Berishës, më 1 nëntor të vitit 2013.
SMS’ët e zbardhur, të publikuar nga Gazeta Express në janar të vitit 2016, kishin zbuluar se vetë Ilir Berisha ishte përkujdesur që t’ia siguronte atij pasaportën dhe vizën Fitim Demës, para se ai të nisej në zonat e konfliktit, përmes Turqisë. /GazetaExpress/.