SHBA, sanksione të reja Rusisë për zgjedhjet e sulmet kibernetike

Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur sanksione të reja ndaj një sërë organizatash dhe individësh rusë, gjatë kësaj të enjteje, në “hakmarrje” të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe sulmeve kibernetike.

Ky përbën hapin më domethënës të ndërmarrë ndaj Moskës që kur Trump mori çelësat e Shtëpisë së Bardhë.

Sanksionet vijnë në të njëjtën kohë kur administrata “Trump” iu bashkua në një deklaratë të përbashkët, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, që akuzonte Rusinë për rolin e dukshëm në sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus dhe vajzës së tij në tokën britanike, duke e quajtur atë “një shkelje të pastër” të ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, në deklaratë nuk përfshihej asnjë reagim i përbashkët në kundërpërgjigje.

Sanksionet amerikane të njoftuar këtë të enjte shënjestrojnë të njëjtat organizata ruse dhe operativë rusë të identifikuar nga prokurori special Robert Mueller në aktakuzën që përvijoi një përpjekje të guximshme për të përhapur informacione dezinformuese dhe propagandistike për të dëmtuar demokracinë amerikane dhe për të ndikuar eventualisht votën në favor të ish-kandidatit republikan Trump.

Sanksionet vijnë edhe si pasojë e sulmeve kibernetike, përfshi edhe një përpjekje që deri më sot ka mbetur sekrete, për të ndërhyrë në sistemin energjetik amerikan.

“Administrata po përballet dhe po kundërshton aktivitetet kibernetike ruse, përfshi përpjekjen e tyre për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, sulmet shkatërrimtare piraterike dhe ndërhyrjet që shënjestronin aspekte kritike të infrastrukturës”, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin. “Sanksionet janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të adresuar sulmet e vazhdueshme dëmtuese që vijnë nga Rusia”, tha më tej ai.

Sanksionet që prekin 5 organizata ruse dhe 19 individë iu ndalojnë atyre udhëtimet në Shtetet e Bashkuara, iu ngrin asetet në tokën amerikane dhe ndalojnë bizneset e individët amerikanë që të kenë marrëdhënie biznesi me ata.

Mes organizatave nën sanksione janë Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), pasuese e KGB-së, Shërbimet Sekrete ushtarake ruse (GRU), edhe pse këto ishin penalizuar edhe nga sanksione të mëhershme për ndërhyrjen në Ukrainë. Për shkak të ndërhyrjes në zgjedhje, sanksionet e reja prekin kompaninë “NotPetya” që shkaktoi miliarda dollarë dëme në SHBA, Europë dhe Azi, në atë që Departamenti i Thesarit e quajti si “sulmi kibernetik më shkatërrimtar dhe më i kushtueshëm në histori”./Top Channel

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme