Shefi i grupit parlamentar të Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP), Dardan Sejdiu ka theksuar se deputetët e larguar nga VV-ja kanë menduar se është gabim që rruga e VV-së të bazohet ekskluzivisht nga Albin Kurti.
Ai në emisionin “Debat D Plus”, të RTV Dukagjini ka thënë se duhet të punohet në idenë e ecjes së VV-së, sikurse që e bëmë me Visar Ymerin, duke shtuar sipas tij, se në kohën kur ky i fundit e drejtonte VV-në, me ndihmën e gjithë strukturave dhe kandidimin e Kurtit si kryeministër, arritëm t’i kemi 32 deputetë.
“Albini ishte i nominuar për kryeministër. Të gjithë punuam që ai të jetë njeriu më i votuar, por jo domodoshmërisht kjo do të thotë ky është njeriu i vetëm që duhet ti prijë VV-së. Nëse ky diskutim është problematik, atëherë cili diskutim nuk do të jetë problematik personi i tij”, ka shtuar Sejdiu.
Sipas tij, një shoqëri dhe në një subjekt demokratik, nuk duhet dhe nuk guxon të përqendrohet në emër dhe figurë, pa marrë parasysh a është më i miri prej nesh.
“Është problematike kjo gjë, sepse gjithçka bëhet rreth një emri, jo rreth idesë”, ka shtuar Sejdiu.