Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të krahut të Visar Ymerit, që ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi, pasi nuk ka arsye për një temë nacionale të ketë ndarje.
Ai në një konferencë për media, ka thënë se nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët me Listën Serbe, derisa ka shtuar se mungesa e një deputeti në seancën e së martës është porosi për ta mbajt Kosovën në izolim.
Sipas Haradinajt, është e pakuptimta pozicioni i mos përkrahjes së demarkacionit, në situatën e re të krijuar, konkretisht me deklaratën e dy presidentëve dhe mundësinë me u heq bllokimi i vendit.
“Çështja e votës është proces derisa ndodh. Ne e kemi votën por duhet të jemi serioz dhe vigjilent që të mos ndodhë ndonjë dështim. Për këtë arsye ne shkojmë me seriozitet të madh që të martën të jenë të gjithë. Mungesa e një deputeti në seancë të martën është porosi me mbajt Kosovën në izolim. Ne kemi negociuar me listën serbe, s’kemi gjet një gjuhë të përbashkët deri tani. I bëjë thirrje Visarit e kolegëve tjerë të mendojnë pak ku jemi ardhur. Nëse në këso momente nuk e kuptojmë rolin tonë, nuk e di si do të reflektojnë proceset”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu prezantoi koordinatorin nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahirin. Ky i fundit tha se e ka temë të interesimit administratën qeverisëse komunale.