Unë jam shqiptar

Autor: Agron Jusufi

Unë jam shqiptar. Kjo ndjenjë është e para dhe më e rëndësishmja.
Të tillë e ndjejë veten në Prishtinë, në Tiranë, në Ksamil, në Las Vegas, në Nju Jork (New York), në Paris, në Londër (London), në Zagreb, në Lublanë (Lubljana), në Pragë (Praha), në Drenas, në Prekaz, në Papaj, në Kumanovë, e në Koshare,…
I tillë jam ndjerë edhe dikur (1990.) gjatë rekrutimit në Nish, edhe në Beograd dhe në Sarajevën e bombarduar, e duke kaluar nëpër Sllavoninë e shkatërruar, gjatë rrugëtimit për në Rijekë (1991.).

Unë jam shqiptar. Shqiptar e kam vëllaun dhe kushterinjtë në Zvicër; shqiptar e kam dajën e kusheririn tjetër, në Gjermani; shqiptar i kam tezeqtë në Belgjikë e nipat në Kanada.
Krenohem me rrënjët e mia shqiptare në Preshevë, prej nga të gjithë këta, u shpërngulën, për shkak se nuk pranuan që të “konvertohen” në mënyrë Kushtetuese, sikur që krenohem me djalin tim shqiptar, i cili ka lindur në Prishtinën e Kosovës, e çdo prill, vjen me mua në Koshare, për t’u takuar me bashkëluftëtarët e mi dhe fëmijtë e tyre, edhepse ende nuk kam arritur ta dërgoj në vendlindjen time. Aty, dalngadal, ai mëson si duhet të mbrohet familja, atdheu, kombi.

Unë jam shqiptar. Të tillë më ka lindur nëna, e të tillë më ka mësuar babai, edhepse njëkohësisht kam mësuar të shkruaj e të lexoj në “qirilicë” dhe “latinicë”. Dhe nuk kam nevojë të ma sqarojë këtë askush, as nga Tirana, as nga Prishtina, as nga Shkupi. Dhe nuk mundet të ma ndalojë këtë askush, qoftë ai në Beograd, Bruksel (Brussel), apo Uashington (Washington). Secili prej tyre (sikur dhe ne të tjerët) prej kësaj toke kanë dalë dhe kësaj toke do t’i kthehen. Dhe (besoj) secili prej tyre (sikur dhe ne të tjerët) i njohin prindërit e vet.

Unë jam shqiptar. Dhe jam kundër atyre që kombit i japin kuptimin perandorak e neo-kolonialist, duke pretenduar se kombi përfundon te kufiri, e përtej kufirit shndërrohet në “etni”, e të cilët këto pretendime i mbështesin në idet e tyre, të cilat as nuk kanë kaluar fazën shkencore të hipotezës. Personat e tillë, e kuptojnë ndryshe kombin me “etninë” (fjalë e cila në shqip nuk ekziston), e shtetin e barazojnë me kombin. Pra, jam kundër gjithësecilit që pretendon se shtetndërtimi dhe komb-ndërtimi janë e njëjta gjë. Kombi nuk është gjë artificiale, sikur janë vijat kufitare të Kongresit të Berlinit, Parisit e të Londrës dhe nuk ndërtohet përmes institucioneve e dokumenteve.

Unë jam shqiptar. Të tillë e deklaroj veten, ndonëse jam i lindur në Jugosllavi – një vend, i cili me Kushtetutë, nuk ka njohur shqiptarët si komb. Ky shtet, nuk përbëhej nga një komb i vetëm (siç do donin ata, të cilët promovojnë idenë se Kushtetuta e krijuaka kombin), por nga gjashtë të tillë.
Kombi JUGOSLLAV (i shtati) filloi të regjistrohet në regjistrimin e popullësisë së RSFJ-së, në vitin 1961. Njëzet vite më vonë (1981.), të tillë u deklaruan mbi 1,2 milion (mbi 5% e popullatës së përgjithshme të RSFJ-së). Dhjetë vite më vonë (1991.), ky shtet u shkatërrua kur orvatjet që letra (Kushtetuta) të vendoset mbi njeriun (kombin), rrezikuan ekzistencën e njeriut. Pra, kombi nuk NDËRTOHET në mënyrë artificiale, sadoqë këtë e trumpetojnë persona të cilët për kombësi, veten e deklarojnë si: kosmopolit.
Shqiptarët, ndonëse të tretit në numër të përgjithshëm (pas serbëve dhe kroatëve), nuk ishin në mesin e kombeve të Jugosllavisë, por, megjithatë, arritëm që me mund e me gjak, të fitojmë të drejtën që të mësonim shqip, këndonim shqip, vajtonim shqip. E kur këto nisën të mohoheshin përsëri – edhe luftuam shqip. Luftuan shqiptarët, sepse nuk pranuan që një vijë e imagjinuar, t’u tregojë se si të ndjehen në shpirt. Luftuan krah për krah, shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Italisë, Gjermanisë, Amerikës, Belgjikës, Australisë dhe tërë botës.

Unë jam shqiptar. Dhe jam kundër atyre që kombit i japin kuptimin legjendar, emotiv e romantik, duke pretenduar se kombi shqiptar është “i thënë nga Zoti” dhe ne nuk kemi nevojë të punojmë për të. Ne jemi këtu den-baba-den, por, a do të vazhdojmë të jemi edhe më tutje, varet nga qëndrimi jonë individual ndaj këtyre rrymave të rrezikshme. Shqiptarët dikur ishin deri në Toplicë, por nuk janë më. Kombi është gjë e gjallë, formësohet nga dheu e gjaku. Dhe pikërisht për këtë edhe mundet të zhduket.

Unë jam shqiptar. Dhe jam kundër ASHSH dhe ASHAK, të cilat 25 vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas 18 viteve liri në Kosovë, ende gjenden nën nivelin e Facebook, apo të emisioneve degjeneruese televizive. Përgjegjësia e tyre për gjendjen në të cilën po katandiset rinia shqiptare, është e pafalshme.
Amerika kurdo mundet të vë raketat mbi selinë e Shërbimit Sekret në Beograd, por, asnjëherë nuk do të vë pikat mbi “e”, e as nuk do të mësojë fëmijët e klasës së gjashtë si të dallojnë çarkun prej qarkut.

Unë jam shqiptar. Dhe jam kundër atyre që në fjalët e tyre, mundohen të arsyetojnë një të keqe, me një të keqe tjetër, edhepse e dijnë se “dy të këqia nuk e bëjnë një të mirë”. Jam kundër gjithësecilit që rrëmon e gjëmon për të vënë në pah dallimet në mes të shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës, sikur kjo është gjë e keqe. Nga gabimet dhe të këqiat (e të tilla ka shumë në historinë e kombit shqiptar), duhet mësuar, që të mos përsëriten më, e jo vetëm sa për të derdh kripë mbi plagët e moçme të Gjerj-Elez Alisë e për të thelluar këto dallime.

Unë jam shqiptar. I tillë isha edhe përpara se Kosova të shpallej shtet. I tillë do të jem edhe më tutje. Dhe jam i tillë, jo sepse këtë ma lejon Kushtetuta e Shqipërisë. Për më tepër, jam i tillë jo sepse Kushtetuta e Kosovës, konfirmon se Kosova është shtet i shqiptarëve (dhe të tjerëve që jetojnë në të).
Unë jam shqiptar dhe tani jetoj në Kosovë. Pse duhet të zgjedh? Të jesh shqiptar, nuk do të thotë se duhesh të heqësh dorë nga Kosova. As e kundërta – të jesh shtetas i Kosovës, nuk do të thotë se duhesh të heqësh dorë nga trungu kombëtar. Ata që dyshojnë – le t’i pyesin ata që kanë lënë gjymtyrët e veta në themelet e këtij shteti. Le t’ia bëjnë këtë pyetje atyre që janë dergjur nëpër burgjet e Serbisë e të Jugosllavisë – a kanë qenë të arrestuar si shqiptarë, apo si kosovar?
Athua vetëm në këto hapësira gjeografike paska shqiptarë?! A duhet të heqim dorë nga shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Çamëri, etj. Apo, këta nuk ekzistuakan, sepse, tani e tutje do të duhet të quhen “etni” dhe të shkrihen në kombin përkatës, sipas asaj vijës së padukshme, që i ndrydhë (maqedon, malazez, serb, grek, etj)? A duhet të lejojmë që kombi më i madh në Ballkan, të jetë kombi më i dobët në Evropë?

Unë jam shqiptar. Dhe jam kundër atyre që thonë se të nderosh flamurin e kaltër-verdh, do të thotë tradhëti kombëtare. Sot, ngjyra e flamurit nuk është më e rëndësishmja. Me rëndësi është çka përfaqëson ai. Flamuri kuq e zi, gjithëmonë ka përfaqësuar më shumë se vetëm një shtet. Ky flamur, përfaqëson zemrën dhe qenien e secilit prej nesh. Përfaqëson gjakun dhe gjuhën tonë. Ky flamur, që është më i vjetri në Evropë, përfaqëson të gjitha luftërat e përsiatjet tona nëpër shekuj e mijëvjeçarë. Asnjë kufi, asnjë shtet, asnjë kohë – nuk do t’i ndryshojë këto. E flamuri i kaltër-verdh, nuk përfaqëson një komb të ri ngase ai komb nuk ekziston. Ky flamur, përfaqëson një shtet të ri. Përfaqëson një hap përpara në betimin e ushtarit të UÇK-së. E ne që ende jemi gjallë – ende kemi kohë. Ende mbajmë shpresë se do t’i dalim zot besëlidhjes, betimit.

Kombet i ka krijuar Zoti. Dhe secilit i ka krijuar Kiblën e vet. E kah e kanë Kiblën këta kosmopolitët, pseudo-intelektualët, e tallava-nacionalistët? A besojnë ata në Zot? Apo, besojnë se njeriu e ka prejardhjen prej majmuni dhe nuk i kanë borxh askujt? Një shok më pati mësuar dallimin në mes të katedrales së madhe dhe njerëzve të mëdhenj: katedralja rritet teksa i afrohesh, kurse njerëzit zvogëlohen sa më afër që u vie. E personat më të spikatur të këtij diskursi, nuk shihen as nëpër katedrale, as nëpër xhamia. Do të thoshte dikush – sepse “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Por, fatkeqësisht, këta nuk gjenden as para varrezave të dëshmorëve, as afër familjeve të tyre, e nuk gjenden as përkrah atyre që lan gjymtyrët nëpër bjeshkë, për t’u dhënë këtyre lirinë e fjalës. Lirinë, e cila skajshmërisht po keqpërdoret.

Unë jam shqiptar. Dhe do të jem.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme