Nënkryetari i AAK’së, Pal Lekaj ka theksuar se që nga dita e nesërme demarkacioni nuk do të jetë më si pikë e rendit të ditës.
Ai ka theksuar se është më së i bindur se nesër do të votohet marrëveshja e demarkacionit.
“Numrat janë. Dy të tretat e deputetëve do ta votojnë këtë marrëveshje. Arsyeja pse është thirrur seanca tregon se janë numrat. Ndryshe nuk do të thirrej”, ka thënë Lekaj në një prononcim për Telegrafin.
Ndryshe, një ditë para se marrëveshja e demarkacionit me Malin e të Zi të jetë në Kuvend, ende nuk dihet saktë nëse janë siguruar votat apo jo, ku për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.
Kundër kësaj marrëveshje janë deklaruar Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka tri vite që nuk e merr bekimin e Kuvendit, ndërkaq ratifikimi i kësaj marrëveshje është një ndër kriteret e liberalizimit të vizave.