Të çimentuara kanë mbetur qëndrimet e faktorëve politikë që, nëntëmbëdhjetë vjet më parë, jepnin vlerësime konfrontuese për përmbajtjen e Marrëveshjes së Rambouilletit, pas firmosjes së të cilës nga pala e Kosovës rrodhën bombardimet e NATO-s mbi Serbinë.
Eksponentët që vunë firmën, sikur Veton Surroi, i japin dokumentit epitetin e kontratës së parë me Perëndimin, ndërsa kundërshtuesit sikur Albin Kurti thonë që pasojat e Marrëveshjes i vuan Kosova edhe tani, shkruan sot Koha Ditore.
Marrëveshja ishte finalizuar në fund të Konferencës, të cilën e kishte organizuar Grupi i Kontaktit me qëllim për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme që atëkohë ndodhte në Kosovë.
Brenda Kështjellës ndodheshin akterët që përballeshin në fushëbetejën në Ballkan. Kosova përfaqësohej nga një ekip gjithëpërfshirës, përfshirë përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata të institucioneve të Republikës që nuk njihej ndërkombëtarisht, të partive parlamentare dhe të shoqërisë civile.
Serbia, ndërkaq, përfaqësohej nga njerëz të Slobodan Milosheviqit, i cili atëkohë kishte zbarkuar arsenalin paraushtarak e ushtarak në Kosovë, ku kishte kryer shumë masakra e deportime. E procesi ndërmjetësohej nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Christopher Hill, ai i Federatës Ruse, Boris Majosrsi, dhe nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Wolfgang Petrich. (Detajet mund t’i gjenin në numrin e sotëm të Kohës Ditore)