Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga mbrojtësit e dy të akuzuarve në rastin e ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
Me këtë rast, Supremja ka refuzuar kërkesat që ishin parashtruar nga avokatët Afrim Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri.
Pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast, mbrojtësit e të pandehurve Izet Beqiri dhe Visar Beqirit, kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
Supremja më 22 shkurt të këtij viti, ka marrë vendim me në të cilin kërkesat e këtyre dy avokatëve i ka quajtur të papranueshme.
Sipas arsyetimit të këtij vendimi, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.
Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.
Ndërkaq, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se seancat në këtë rast pritet që shumë shpejt të caktohen, pasi që një gjë e tillë kishte mbetur peng i kësaj përgjigje nga Supremja.