Sërish në Nën-Shkodër dhe lagjet periferike të qytetit të Shkodrës ka pasur rritje të nivelit të ujit.
Mëngjesin e sotëm ka pasur dhe një dalje të lehtë të Bunës mbi pedonale pranë Urës së Bunës.
Zona më e kërcënuar në qytetet mbetet periferia perëndimore e qytetit, zona e Livadheve prane ish Zukthkashtës, që laget nga Liqeni Shkodrës dhe Lumi Buna, raporton TopChannel.
Disa banesa janë përmbytur kanë uje brenda, ndërsa të tjera kërcënohen. Por përmbytja këtë herë ka krijuar një situatë të çuditshme në qytetin e Shkodrës. Ndërsa intervistonim një banore të zonës në asfalt kanë filluar të dalin peshqit.
E ndërsa mbledhin peshk, banorët bëjnë apel për ndihmë. “Ça të bëjmë, po mbledhim peshk”, thotë një banor.
Por pak më në brendësi të periferisë së qytetit, në zonën e Livadheve, njerëzit po flenë mbi ujë, banesat janë përmbytur dhe orenditë shtëpiake janë dëmtuar. Fëmijët po flenë mbi ujë.
Arjan Alia, banor i zonës, po mundohet të shpëtoje ç’të mundet nga orenditë shtëpiake.
Në të gjithë Nën-Shkodrën dhe periferinë e qytetit janë 4700 ha toka nën ujë, mbi 400 shtëpi të rrethuara nga uji e rreth 20 banesa të përmbytura.