Shefi i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë Milovan Drecun ka deklaruar me dëshpërim se Perëndimi çështjen e Kosovës po e konsideron proces të përfunduar.
“Është e qartë se Perëndimi dëshiron ta detyrojë Beogradin që të bëjë lëshime, jo vetëm që të mos e kundërshtojë Kosovën për t’u anëtarësuar në UNESCO e Interpol, por dhe t’ia hapë dyert në Kombet e Bashkuara. Kjo për Beogradin është papranueshme”, ka thënë Drecun në rts duke shtuar se Serbia duhet të vazhdojë t’i mbrojë interesat e veta përkundër situatës së ndërlikuar.
Sipas tij, Perëndimi nuk dëshiron zgjidhje afatgjate për Kosovën dhe për këtë arsye nuk hyn në biseda me Serbinë për këtë temë dhe se kjo po e trimëron Prishtinën që të mos e përmbushë marrëveshje për themelimin Asociacionit të Komunave serbe.
“AKS po përdoret si mjet shantazhi, jepet diçka për të cilën ka pasur marrëveshje”, ka thënë Drecun duke shtuar se problemi i Kosovës pengon zhvillimin Serbisë dhe se Serbia nuk dëshiron ta ngrijë këtë problem por ta zgjidhë, pasi ngrirja Kosovën do ta dërgonte në Shqipëri të madhe”.
“Duket se Prishtina çdo gjë po e bën në marrëveshje me Perëndimin. Po shtohet presioni ndaj Serbisë e konfrontimi gjeopolitik i SHBA-së dhe i Rusisë po shfrytëzohet problemi i Kosovës”, ka thënë Drecun.
Ai ka theksuar se Beogradi në zgjidhjen e problemit të Kosovës duhet të mbështetet në vendet që e kuptojnë pozitën e Serbisë, e ato janë Rusia, Kina, Spanja…
I pyetur çfarë do të mund të ndodhte nëse Serbia s’e pranon ultimatumin e Perëndimit, Drecun s’e ka përjashtuar mundësinë e izolimit.
“Serbia vazhdon me politikën se nuk do ta njohim pavarësinë e shpallur kështu të Kosovës, nuk do t’ia hapim dyert e Kombeve të Bashkuara. Kryetari Vuçqi për këtë politikë kërkon përkrahje dhe fuqimisht insiston se rruga jonë nuk mund të jetë e penguar me sjelljen e njëanshme të Prishtinës”, ka thënë Drecun.