Ditën kur u votua Demarkacioni, ranë maskat në Kuvend – BE t’i liberalizojë vizat

Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën e rregullt javore ka thënë se pas ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit duhet të fillojnë veprimet në Bashkimin Evropian në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm

Shefi i Grupi Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se tani institucionet e Kosovës duhet të plotësojnë kushtin tjetër, që është luftimi i korrupsionit. Sipas Hotit, ky kusht në qeverisjen e kaluar të Isa Mustafës ka qenë i plotësuar, raporton Ekonomiaonline.

“Ratifikimi i demarkacionit, na vjen mirë që u përmbyll. Duhet të fillojnë veprimet në BE në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm. Atë ditë ranë maskat në Kuvend. Na vjen keq që sërish u kthye gazi. Tani u mbetet institucioneve që të plotësohet kushti tjetër që në qeverisjen e kaluar ka qenë i plotësuar, që është luftimi korrupsionit. Do të vazhdojmë të bëjmë opozitë të fuqishme në interes të qytetarëve”, ka thënë Hoti.

Ai sërish ka kërkuar që Qeveria të japë dorëheqje dhe Kuvendi të shpërndahet, pasi sipas tij Qeveria “Haradinaj” nuk ka legjitimitet.

“Çështja tjetër ka të bëjë me nevojën e dialogut politik. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, Qeveria ka humbur legjitimitetin. Qeveria duhet të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërndahet. Por para kësaj duhet të merremi me temat e mëdha si dialogu, zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura deri tash, zbatimin e reciprocitetit, politikën e jashtme si dhe duhet të kemi konsensus brenda partive politike për transformimin e FSK-së dhe reformën zgjedhore”, deklaroi Hoti.

Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Hoti tha se ekipi negociator i Kosovës është jokompetent, ndërsa për presidentin Hashim Thaçi, tha se nuk ka autorizim që të mbajë bisedime në Bruksel.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka autorizuar Qeverinë me dy rezoluta për zhvillimin e dialogut me Serbinë.

“Jemi duke parë nje dialog pa platformë, të papërgatitur, kemi parë një përfshirje të paautorizuar të presidentit në dialog. Çdo marrëveshje që arrihet, të ratifikohet në Kuvend. LDK-ja nuk mbështet një dialog të tillë pa platformë dhe pa autorizim të Kuvendit”, ka thënë Hoti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme