Familjarë dhe miq të familjes Kelmendi kanë përkujtuar të ndjerët Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendin.
Ata vizituan varrezat e Prishtinës ku prehen trupat e tre të vrarëve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, deri më tani askush nga institucionet nuk ka përkujtuar veprën e avokatit të ndjerë, Bajram Kelmendi, i cili, bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, u vranë natën e 24 marsit, kur edhe filluan bombardimet e NATO-s.
Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, bashkëshortja e Bajramit, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.
Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.
Ndryshe, Bajram Kelmendi ishte bashkëthemelues dhe një kohë Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ); ishte ndër nismëtarët e Lëvizjes gjithëpopullore për pajtimin e gjaqeve. Ishte i pari shqiptar që e denoncoi me shkrim dhe hapur për krime lufte Sllobodan Millosheviqin në organet gjyqësore të atëhershme, duke punuar ditë e natë në ushtrimin e denoncimeve dhe kompletimin e materialit argumentues kundër tij në Tribunalin e Hagës, të cilin e vizitoi personalisht tri herë dhe i dorëzoi ato materiale të cilat dëshmonin qartë krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit.
Bashkë me akademik Gazmend Zajmin kishte iniciuar procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për dhënien e pëlqimit (të dhunshëm) për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, me të cilat ndryshime Kosovës iu hoq autonomia, të cilën e kishte fituar me Kushtetutën e vitit 1974.
Bajram Kelmendi ishte edhe anëtar i Grupit Negociator i njohur me shkurtesën “G-15”, për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës, grup i cili ishte formuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, etj.