Epilogu i rastit “Almiri” pritet të sillet më 2 prill në Gjykatën Themelore të Kumanovës.
Në seancën e fundit gjyqësore është e paraparë të dëgjohet fjala përfundimtare e Stevan Pavllovskit, avokatit të të akuzuarit Boban Iliq, për vdekjen e 4 vjeçarit dhe fjala përfundimtare e palës mbrojtëse të familjes Aliu. Avokati Ibrahim Bajrami thotë se tani pas rikualifikimit të lëndës, më me prioritet e kanë që Sedat Aliu, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu të lirohen nga vepra penale “dhunë” sesa do t’i shqiptohet dënimi të akuzuarit Boban Iliq. Avokati thotë se është e padrejtë heqja e akuzës “dhunë” ndaj Bojanit.
Pas rikualifikimit të lëndës, aktivisti i iniciativës “Drejtësi për Almirin”, Visar Vishka, thotë se qytetarët kanë humbur besimin në organet e drejtësisë në Kumanovë, andaj shton se nuk pritet të ndahet drejtësia dhe as që do të protestojnë të hënën e ardhshme. Aktori Vishka bën krahasimin me reagimet e shoqërisë civile për vrasjen e kafshëve dhe heshtjen e tyre për rastin “Almiri”.
Aktivisti Vishka thotë se i akuzuari Boban Iliq edhe po të marrë dënimin maksimal prej 20 vjetësh për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, ai përsëri nuk shprehet i kënaqur sepse, sipas tij, Iliq nuk jep përgjegjësi për akuzën vrasje me paramendim.
I akuzuari Boban Iliq u arrestua më 25 qershor të vitit 2016 në ditën e shtypjes së Almirit me makinën e tij tek Ambulanca e Kumanovës. Ai u lirua nga masa e paraburgimit më 15 mars të këtij viti, pas rikualifikimit të lëndës nga Prokuroria publike dhe në momentin e parë të lirimit, para burgut të Shutkës kërcënoi ekipin e TV21. Por, avokatët thonë se i njëjti pritet të kthehet në burg, më 2 prill, në ditën kur t’i shqiptohet dënimit adekuat për veprën e kryer penale, duke vazhduar të mbetet prapa grilave në “Idrizovë”./tv21