Më shumë se 500 mijë euro në vit, Komuna e Shtërpcës shpenzon për pagat e 25 punëtorëve shëndetësorë , material shpenzues e obligime të tjera për spitalin, i cili nuk funksionon.
Kjo praktikë është që nga viti 2011, kur ende pa u finalizuar objekti i spitalit për përkujdesin dytësor shëndetësor, është zgjedhur edhe drejtori i tij.
Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rifat Rrustemi, ka thënë që kanë kërkuar nga kryetari një shpjegim se pse këta doktorë marrin paga pa punuar fare, porse asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
Ai thotë që nëse kryetari i komunës nuk ndërmerr diçka, atëherë do t’i drejtohet edhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Edhe Komuna e Shtërpcës ka të drejtë në shëndetësi sekondare sipas Pakos së Ahtisarit, andaj në fillim të vitit 2012 që kur është ndërtuar ky spital ai nuk funksionon”.
Ligji për vetëqeverisje lokale përcakton kompetencat e zgjeruara vetanake në fushën e shëndetësisë, edukimit dhe të drejtës për të marrë pjesë në zgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore.
Neni 20 i këtij ligji përcakton kompetencat për përkujdesin dytësor shëndetësor.
Komunat Mitrovicë e Veriut, Graçanicë dhe Shtërpcë kanë kompetenca për ofrimin e përkujdesit dytësor shëndetësor, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e personelit dhe administratorëve të kujdesit shëndetësor.
Drejtori i Shëndetësisë, Valmir Ahmeti, ka thënë se nuk është në kompetencën e tij të flasë për këtë, ndërsa kryetari i kësaj komune ka thënë që nuk gjendet në Kosovë.