A mund të bashkohen Kosova e Shqipëria?

Ardian Klosi (1957-2012)

Muri ra, po pastaj?

Është thuajse e pamundur të shoqërosh një gazetar a një intelektual tjetër çfarëdo të huaj që mos të të bëjë pyetjen: Mendoni se ka ndryshime të mëdha midis kosovarëve e shqiptarëve të Shqipërisë, ka prirje bashkimi të tyre, mund të realizohet dikur një Shqipëri e madhe?

Unë u përgjigjem të gjithave me jo: Nuk ka ndryshime të mëdha midis kosovarëve e shqiptarëve të Shqipërisë, shumë pak mund ta dëshirojnë një bashkim e për rrjedhim nuk ka për t’u realizuar ndonjëherë Shqipëria e madhe.

Arsyeja është e thjeshtë dhe është krejt praktike. Dy vende ku jeton i njëjti komb bashkohen, dhe këtë na e tregon historia, në rastin kur njëri prej tyre ka administratë funksionuese, ka ecur përpara në rrugën e mirëqenies dhe dëshirohet e synohet prej pjesës së kombit që jeton në vendin më të varfër ose më të vuajtur. Kështu ndodhi bashkimi i dy Gjermanive më 1989-1990, po kështu kanë ndodhur bashkime në të kaluarën si ai i Italisë (nën kurorën e njërës prej mbretërive më të zhvilluara të Veriut, asaj të Savojës), kështu mund të ndodhin në të ardhmen, e zëmë nëse bije diktatura në Korenë e Veriut që vetiu pastaj do t’i bashkohej asaj të Jugut.

Madje edhe bashkimi i Hong Kongut me Kinën ndodhi pa dhimbje të mëdha në kohën kur Kina kishte hyrë pakthyeshëm në rrugën e modernizimit. E kundërta vërehet edhe më shpesh: një vend i varfër rrazbitet aq shumë nga tensionet e brendshme ose luftërat civile, saqë vjen një ditë dhe vendi ndahet sikurse ka ndodhur shpesh me vende afrikane, po sikurse ndodhi edhe me shtetin e sllavëve të jugut, i cili nuk mbajti asnjë shekull.

Njerëzit janë në thelb qenie materialiste, fundja si gjithë qeniet e tjera. Ata nuk janë në thelb qenie patriotike ose qenie nacionaliste. Për më tepër shqiptarët sot drejtohen në jetë nga vlerat thjesht materiale. Në këtë pikëpamje që është pikëpamja kryesore, nuk ka asnjë arsye pse kosovarët të mëtojnë të bashkohen në Shqipëri e shqiptarët e “perëndimit” të dëshirojnë bashkim me Kosovën. Të dy shtetet çalojnë, madje ky i perëndimit shqepon si mos më keq, duke munguar krejt në territore të mëdha sikurse në veri e verilindje.

Kosovarëve u mjafton një vështrim mbi gjendjen e mjeruar të Shqipërisë së atyre krahinave, mjafton të kalojnë kufirin dhe të mos gjejnë një qytet për të qenë, u duhet të vinë deri në Shkodër ose Tiranë që të ndeshen me atë që quhet jetë urbane ose jetë e qytetëruar.

Një tjetër arsye, pranë kësaj, është imazhi i keq që kanë administratorët, qeveritarët përkëndej e përandej kufirit. Të dyja qeverive u tregohen histori korrupsioni galopant, shpesh me fakte, madje për ndërtim autostradash zgjedhin të njëjtën firmë që ushqen këto histori megakorrupsioni. Sidoqoftë primatin e mban këtu qeveria përkëtejit, kujtojmë vetëm se ajo mund të hedhë në erë qytetarët e saj për të zbërthyer municione të vjetra dhe askujt të mos i hyjë asnjë gjemb.

E pra, shqiptarët nuk do të donin që këta administratorë ta zgjeronin ombrellën mbi territore që do t’u shtoheshin nën qeverim; përfytyroni një Shqipëri të qeverisur nga ish-komandantë të UÇK-së ose, mos o Zot, një Kosovë të administruar nga Berisha me familjen e tij dhe Bode me klanin e tij korçar.

Përjashtohet pra, për kushedi sa dekada që do të vijnë, një administrim i përbashkët i fateve të shqiptarëve përkëndej e përandej vargmaleve të verilindjes, një shtet i vetëm i tyre. U bë shpesh paralelja me murin e Berlinit sa kohë që shqiptarët e Kosovës jetonin nën shtypjen nacionaliste. Kur shtypja dhe muri ra, askush nuk tentoi për bashkim. Në teori është gjynah, sepse, jo më me shpenzime dyfishe, pra pa u dashë mbajtur dy qeveri, do mund të administroheshin pasuri të mëdha të një toke ku jeton një komb; kombi do të kishte një vijë të mirë bregdetare, do të bëhej zemra e Ballkanit e nyje kryesore ku do të kalonin qarkullimet Veri-Jug e Lindje-Perëndim, lidhjet historike të malësisë me ultësirat kontinentale dhe bregdetare do të gjallëroheshin, vetë respekti që do të gëzonte ky shtet i shqiptarëve do të ishte shumë më i ndryshëm nga qesëndi-keqardhja që mbizotëron sot te të huajt për dy gjysmat e tij gjysmake.

Gjynah është edhe që një kulturë e përbashkët, me të njëjtat fillesa, edhe pse sot me disa degëzime të larguara, nuk përfaqësohet nga disa pak qendra a institucione prestigjioze: një Akademi serioze Shkencash, me institucione për studimin e tokës, detit, kulturës së shqiptarëve, një Teatër i madh Kombëtar, një Bibliotekë e vërtetë Kombëtare, një Qendër kombëtare Kinematografie etj. etj.. Sepse kultura është një, dy shtetet e ndara e armike në shekullin e kaluar nuk arritën ta përçajnë atë, falë patriotizmit të kosovarëve, të shtresës intelektuale të rritur në Jugosllavi, asnjëherë nuk u kërkua aty zhvillimi i një kulture të veçantë, sanksionimi i një shqipeje të veçantë (çka nuk do të ishte aspak e vështirë po të ndiqej tradita e gegënishtes). Kjo ka sjellë sot pozitive që të mos ketë barriera kulture sikurse ka barriera administrate, por ka sjellë edhe dukuri negative sikurse njëfarë inferioriteti pritës që tregon Prishtina ndaj Tiranës, ku bëhen më të mira edhe botimet, edhe Panairet e Librit, edhe mediat ose bienalet e artit etj.

Në praktikë gjendja e dyshtetësisë është më e mirë për gjithë arsyet që thamë. Sidomos fakti që shteti i Kosovës është i kontrolluar e në njëfarë mase i garantuar nga prania e ndërkombëtarëve. Aty janë të papërfytyrueshme ngjarje si Gërdeci ose demonstrata e 21 janarit. Aty i është i papërfytyrueshëm vetëzbërthimi i shtetit siç ndodhi te ne nën Berishën më 1997. Aty është e papërfytyrueshme shitja e interesave të vendit ose shkatërrimi i monumenteve natyrore e të kulturës sikurse ndodh aktualisht në Shqipëri.

Por përtej këtyre arsyetimeve që mund të enden në rrafsh abstrakt, më intereson të kujtoj në këto radhë pamjen konkrete të Kosovës e të Shqipërisë sot, në një krahasim të shpejtë por që na tregon shumë. Më ka rënë rasti dy herë muajt e fundit të udhëtoj në Kosovë e nuk mund të mos i shohësh ndryshimet me Shqipërinë sapo që kalon kufirin.

Sapo që ndodhesh në Kosovë nis gjelbërimi dhe punimi i tokës. Ku nuk ka pyje, ato pemë të ulta gjethevogla që veshin kodrat njëra pas tjetrës, ka ara të punuara ose vreshta të shtrira në dhjetëra dynymë në mos hektarë. Edhe në qendrat më të vogla të banuara sheh njëri pas tjetrit shitësit e frutave dhe perimeve me arkat e tyre të sërënditura gjithë kujdes. Ndërsa në Shqipëri ku sheh fusha, s’është e thënë të jenë të punuara, madje sa më të mëdha këto fusha, si për shembull në brezat e shumtë të Myzeqesë, aq më djerrë janë ato. Aty e ndjen se sa rëndë e ka goditur Shqipërinë historia e kolektivizimit ekstrem bashkë me çorbën që u bë më mbas me pjesëtimet ose kthimet e pronave. Në Kosovë me sa kuptohet asnjëherë s’ka humbur tradita e punimit privat të arave të mëdha, këtu sikur nuk ekziston gjëkundi toka pa zot.

Edhe mënyra se si i ndërtojnë shtëpitë kosovarët është e përmbajtjur: këto shtëpi janë gjithmonë dy-trikatëshe dhe kanë gjithmonë një çati mbi krye. Ndërsa në Shqipëri është tipike «vila» e re gjigande, që mund të shkojë dhe pesë kate dhe të ngrihet mu në mes të arës ose vreshtit të dikurshëm. Shihni vetëm pamjen e fshatit të dikurshëm Lundër në të dalë të Tiranës kur shkon për nga Elbasani: gjithë shpatet e kodrave të veshura dikur me vreshta, janë mbjellë me këto të ashtuquajtura vila që i kanë likuiduar vreshtat njëherë e përgjithmonë (ndërkohë në dyqane vazhdon të shitet verë «Lundra» megjithëse hardhi nuk ka më).

Kjo mënyrë e qetë dhe e përmbajtur e trajtimit të tokës dhe e ndërtimeve që dallon provincën kosovare, të takon edhe në qytetet që kam shkelur, Prizren, Prishtinë. Këtu makinat ndalojnë rregullisht para semaforëve e sidomos u japin përparësi këmbësorëve. Edhe në vijat e bardha ose në kthesë të makinës përparësinë e ka këmbësori (aty ku tiranasit ose vlonjatët e trembur shohin se mos po u afrohet ndonjë makinë). Për çudi edhe boritë e kerreve nuk dëgjohen, sikur ua kanë hequr.

Herën e fundit u ndodha në Prishtinë në një ditë të diel. Asnjë dyqan hapur, kafene e restorante po, tek-tuk ndonjë kioskë gazetash e ndonjë tezgë librash, aq. Një rregullsi që e gjen në Gjermani, në përgjithësi në Europën e mesme dhe veriore e që sigurisht s’të kujton asnjë qytet të Shqipërisë.

Më patën thënë që duhet të kesh kujdes nga policia rrugore kosovare, sepse nuk bën shaka kur të gjen në kundravajtje, Megjithatë diku në një rrugë të tatëpjetë para se të hyja në një qytet të vogël, kamera e një polici kapi te makina ime 13 km/orë kapërcim shpejtësie. Pas kësaj mbushje dokumentash, faturë gjobe dhe asnjë diskutim i kotë. Kurse në Shqipëri nëpër gjithë autostradën e re këmbë polici e rrotë makine policie rrugore. Diku, në hyrje të tunelit të Kalimashit, ishin mbledhur si nja 8 a 10 policë të shkrehur, më duket se edhe rripat e pantallonave i kishin të zbërthyer dhe ia kishin kërcitur muhabetit me kurrizin e kthyer rrugës. Ja dhe këto detaje të vogla mjaftojnë për të kuptuar se tjetër është zbatimi i shtetit te ne e tjetër në Kosovë.

Gjithçka e ka një arsye, ndryshimet kanë shpjegimet e tyre. Kosova edhe pse vuajti diskriminimin serb, luftën, dëbimet, asnjëherë nuk ra pre e anarkisë. Ndërsa Shqipëria, edhe sot që kanë kaluar 20 vjet qyshse u shemb një diktaturë e skajshme e cila, siç vrau në qelizë pronën private, goditi në ind elitat kulturore, nxori në majë siç nxjerr dallga e ujërave të turbullt shkumën e pisët ata më sharlatanët e më servilët, Shqipëria pra edhe sot nuk ka arritur ta ftillojë kaosin e vlerave dhe të organizimit, ajo rri gjithmonë si me frikën e valës së anarkisë të ardhshme. Mungesa e shtetit të vërtetë dhe mungesa e një zhvillimi të qëndrueshëm mes harmonisë së protagonistëve shoqërorë, brenga jonë më e madhe.

E megjithatë nuk ishin shpjegimet që më shtynë të shkruaj këto radhë. Është njëfarë kryelartësie për të mos thënë fodullëku i një pjese të mirë bashkëqytetarësh të Shqipërisë kur flitet për Kosovën dhe kosovarët. Bëjnë si më të mirë këta të Shqipërisë, si më të zot, më të emancipuar, më afër Perëndimit etj. etj. Jam dakord që ka më shumë gjallëri e lëvizje në Tiranë sesa në Prishtinë, ka më shumë lajme në kryeqytetin e perëndimit sesa në atë të lindjes, ka në Tiranë të paktën nja shtatë stacione lajmesh (të dhitesh me lajme, do thoshin në Elbasan), të sofistikuar në teknikën e tyre. Po ç’më duhet kjo më shumë, më fort, më shpejt?

Tek shqiptarët «e perëndimit» vërehet vërtet një energji më e madhe, veçse kjo energji shpesh është negative. Shikoni me sa shpejtësi u betonua bregdeti i Sarandës, ai i Golemit, si po ndjek bregdeti i Vlorës të njëjtën rrugë. Shikoni si po marrin shtratin e Erzenit për të ndërtuar Diagonalen e Karrëfurit, shtratin e Lumit të Tiranës për të bërë rrugën «e Arbërit». Shikoni si po i ngjiten pallatet malit të Dajtit, biznesi i ndërtimit më e shëmtuara kafshë që është parë ndonjëherë në këto anë. Në më pak se dhjetë vjet u shpërfytyrua ajo që i kishte dhënë natyra Shqipërisë në miliona vjet. Ç’ta dua këtë energji e këtë lloj zhvillimi? Do desha shumë më tepër një zhvillim të qetë bujqësor-tregtar si të Kosovës.

Kanë vërtet më shumë mallra, më shumë kafene, më shumë rini nëpër rrugë qytetet e mëdha të Shqipërisë, Tirana, Korça, Vlora. Por kanë edhe më shumë pazare të pista, para të pista, krisma. Këtu po bëhen krime edhe më të sofistikuara sesa në Napoli; atëherë them, jo falemnderit, bëj pa këtë gjallëri, në djall këto super hotele e super restorante që nuk i lënkan asgjë mangut Palermos.

Po kur dëgjoj pastaj që më mburrin «modelin ekonomik» të Shqipërisë e cila nuk njihka krizë, më trazohen zorrët. Shqipëria mjerisht nuk ka gjetur ende vetveten, ajo kalon nëpër amplituda shpirtërore të ngjashme me delire-depresionet e udhëheqësve të saj. Këtu rinia ende nuk ka perspektivë (dhe pasqyrë më të mirë për gjendjen shëndetësore të një shoqërie nuk ka), ata që janë në gjendje, ikin për të studiuar një orë e më parë jashtë, ata që s’mundin, marrin pjesë në teatrin e arsimit të lartë publik dhe privat mes inflacionit të diplomave dhe masterave.

Siç shihet një kosovar ka sot shumë më tepër arsye për të mos dëshiruar ndonjë jetesë nën shtetin shqiptar. E qartë, edhe shqiptarët vetë nuk kanë ndonjë arsye për të lakmuar shtetin kosovar. Por as edhe një arsye për t’u vetëmburrur ndaj kosovarëve për një përparim që nuk ekziston. E nëse do duan të mësojnë gjë nga bashkëkombasit përtej kufirit, kjo do të ishte qetësia, përmbajtja dhe serioziteti në jetën shoqërore, raporti me punën dhe shumë më tepër dashuri për tokën e vet.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme