Policia e Shtetit ka bërë me dije ditën e sotme se ka qenë e angazhuar edhe ajo në operacionin e policisë italiane në kapjen e gomones me 500 kg drogë.
Në njoftimin shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit sqaron se përmes informacioneve konfideciale mësoi se gomonia dyshohej se mund të përdorej për trafik.
Pas këtyre indicieve, policia e Shtetit ka njoftuar palën Italiane nëpërmjet Grupit të Kufirit Detar të Guardia di Finanza të vendosur në Durrës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Shqiptare në Itali dhe ka nisur operacioni i ndjekjes nga ajri dhe deti, përfshirë misionin FRONTEX.
Pas operacionit nga policia italiane është bërë e mundur kapja e gomones me 500 kg kanabis, si dhe arrestimi i 2 trafikantëve shqiptarë K. Skëndaj, 45 vjeç dhe F. Soda, 34 vjeç.
Ndërsa, në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga 2 punonjës të Policisë Kufitare në “Tri Port”, pasi nga hetimet ka rezultuar se ata nuk kanë kryer praktikën e rregullt ligjore për regjistrimin e mjetit lundrues tip gomone, i cili u kap në Brindizi me lëndë narkotike.
Mësohet se mjeti lundrues, i cili figuron i regjistruar me dokumentacion në Stacionin Kufitar, ka hyrë në brendësi të Pikës “Tri Port” dhe pa u regjistruar ka dalë më pas në det.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka arrestuar 2 punonjës të Stacionit të Policisë Kufitare në ‘Tri Port’, N/Komisar Bledar Kuçi me detyrë përgjegjës turni dhe Inspektor Idlir Ajazaj, me detyrë ndihmës kontrollor. Ndalimi i tyre është bërë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.