Kancelari austriak Sebastian Kurtz i ka dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi dhe ka bërë thirrje për ndërprerje të bisedimeve me Ankaranë mbi hyrje në BE, transmetojnë gazetat gjermane.
Ai gjatë një interviste për revistën “Die Welt” ka thënë se duhet ndërprerë bisedimet me Ankaranë, sepse pushteti në mënyrë sistematike po i shkelë të drejtat e njeriut dhe vlerat më të rëndësishme demokratike, si dhe për faktin se më nuk po zbatohet kriteri i Kopenhagës, i cili përmban rregulla me të cilat caktohet se a është ndonjë vend i gatshëm për hyrje në BE.
Kurtz ka shtuar se Turqia edhe më tutje është partner i rëndësishëm i BE dhe se marrëdhëniet e Ankarasë dhe Brukselit duhet të mbahen në bazë të politikës së fqinjësisë së mirë, transmeton Insajderi.com.
Turqia në vitin 1997 është shpallur si vendi i cili mund të hyjë në BE, ndërsa bisedimet për hyrje, Brukseli dhe Ankaraja kanë filluar në vitin 2005.
Marrëdhëniet në mes të Brukselit dhe Ankarasë janë përkeqësuar pas puçit të dështuar ushtarak në Turqi në vitin 2016. Ankaraja e ka akuzuar Evropën se i jep azil atyre të cilët e kanë organizuar grusht shtetin, derisa Brukseli e kritikoi ashpër arrestimin e gazetarëve dhe aktivistëve për të drejta të njeriut në Turqi dhe i suspendoi përgatitjet për kapitull të ri në negociata për hyrje të Turqisë në BE.
Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker vitin e kaluar ka thënë se Ankaraja po ndërmerr hapa të cilat po e largojnë Turqinë nga BE, si dhe që ekzistojnë persona në Turqi të cilët për negociatat e dështuara për hyrje dëshirojnë ta fajësojnë Bashkimin Evropian.