Rruga e Kombit me pagesë, justifikohet Edi Rama

Testimi që nisi ditën e djeshme për bërjen me pagesë të rrugës së Kombit nga kompania që ka fituar koncensionin ka ngjallur shumë reagime si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë.

Pas dy javësh kush kalon në rrugën e Kombit do jetë i detyruar që të paguajë, duke nisur nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për autoveturat dhe deri në 22.5 euro për kamionët e tonazhit të rëndë.

Qytetarë të shumtë i janë ankuar kryeministrit Edi Rama për tarifat e larta, ndërsa ditën e sotme ai ka zgjedhur që përmes një komenti të justifikohet për tarifën që do të paguajnë qytetarët për të kaluar në rrugën e Kombit.

Rama thotë se nuk ka pagesë 10 euro, por është 5 euro. Në fakt, kryeministri deri diku ka të drejtë, por ai harron të thotë se një qytetar nga Kosova nëse vjen në Shqipëri do të paguajë 5 euro, por ai është i detyruar të kthehet në shtëpi, duke paguar edhe 5 euro të tjerë, çka do të thotë se shumë e përgjithshme është 10 euro. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që do të udhëtojnë drejt Kosovës, apo drejt Kukësit.

Tarifën e lartë, kryeministri e justifikon me mirëmbajtjen e rrugës, duke mos harruar të shtojë se kjo rrugë nuk është përfunduar plotësisht, dhe sipas tij, do të jetë kompani që do ta ndërtojë atë.

“Nuk ka pagese 10 euro Albi, eshte 5 euro, cmim qe paguhet kudo ne rajon dhe kontribut qe shkon per mirembajtjen e rruges, e cila u ndertua pjeserisht (nderkohe qe kompania do te perfundoje edhe ndertimin) dhe mbeti ne meshire te fatit nga pamundesia e mirembajtjes qe ka nje kosto jo te vogel!”. shkruan Rama në profilin e tij në ‘Facebook’.

I pari që ka reaguar lidhur me vendosjen e tarifës ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka cilësuar si një turp kombëtar të Edi Ramës.

Berisha thotë se qeveria fiton 300 milion euro nga kjo rrugë çdo vit dhe fare mirë një pjesë e këtyre të ardhurave mund të shkonte për mirëmbajtjen e kësaj rruge, duke mos vendosur tarifë.

Sot filloi taksa “Edvin”, 5 deri e 10 euro ne rrugen e Kombit! Duke filluar nga sot, çdo automjet qe do kaloje ne rrugen e Kombit do paguaje taksen “Edvin”; 5 deri ne 10 euro!

Shqiperia nga Rruga e Kombit siguron mbi 300 milione euro te ardhura ne vit. Ne vend qe nje perqindje e tyre te perdoren per mirembajtjen e saj, Edvin Kristaq Rama takson shqiptaret pse udhetojne tek njeri tjetri! Turpi i Kombit!”, -deklaroi Berisha.

Vendpagesa te rruga e Kombit

Reagime të forta për tarifën për rrugën e Kombit ka pasur edhe nga zyrtarë të Kosovës, ku më kryesori ka qenë ai i Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në një prononcim për GazetaExpress, Lekaj ka thënë se Qeveria kosovare s’ka pasur kurrfarë njoftimi se do të ketë taksë rrugore për Rrugën e Kombit.

Ai ka bërë me dije se do t’i drejtohet homologut të tij shqiptar, Damian Gjiknurit për të kërkuar sqarime dhe për të zbritur taksën rrugore.

“As një konsultë nuk kanë bërë me Kosovën. Është dashur të paktën të bisedojnë dhe të na tregojnë për këtë taksë. Të hënën, do t’ua bëj një shkresë zyrtare për një takim dhe të shohim…”,  tha Lekaj ditën e djeshme për Express.

Po ashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë, ka dalë me një deklaratë për mediat, duke thënë se tarifat janë vendosur që në 2016, dhe nuk mund të ketë më negocim për to.

“Në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se:

Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës.

Objektivi kryesor i këtij projekti Koncesion/PPP i punimeve dhe shërbimeve është përmirësimi i Autostradës dhe shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj. Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit.

Taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve.

Në pikën 11.8 të kontratës është parashikuar dhe aplikimi i taksës së rrugës për Përdoruesit e shpeshtë të saj duke cilësuar se a) Koncesionari harton dhe zbaton një skeme zbritjesh për Përdoruesit e shpeshtë  brenda një periudhe prej 6 (gjashtë) muajsh që nga Data e Përfundimit të punimeve për sheshin e taksës, skemë e cila duhet të bazohet në të dhënat aktuale dhe të parashikuara të trafikut, të konfirmuara nga inxhinieri i pavarur  dhe të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.”, -thuhet në njoftimin për mediat nga ministria.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme