Saranda Bogujevci sonte rrëfen tregimin e saj në Beograd

Saranda Bogujevci, një nga të shpëtuarat e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, do të flasë për eksperiencën e saj tragjike, para audiencës në Beograd.

Sonte, në përvjetorin e 19-të të vrasjes së anëtarëve të familjes Bogujevci nga trupat “Skorpionët” e Serbisë, Saranda Bogujevci dhe Selatin Bogujevci do të flasin në Beograd në një panel i cili i kushtohet këtyre mizorive.

Saranda nuk ka ndaluar së kërkuari të vërtetën e krimit që ndodhi në Kosovë. Drejtësia gjithmonë vonon por Saranda ka pasur gjithmonë vendosmëri për të kërkuar të vërtetën. Në këtë panel ajo do të flasë për fëmijërinë e saj dhe të anëtarëve të familjes së saj.

Në ngjarjen tragjike u vranë shtatë gra e shtatë fëmijë, në Podujevë, ndërsa Saranda dhe disa anëtarë tjerë kanë shpëtuar.

Të plagosur rëndë, pesë fëmijë atëherë shpëtuan, ndërsa tre prej tyre tashmë të rritur dhe të shndërruar në artistë, e kanë rikonstruktuar nëpërmjet fotografish e filmash tragjedinë personale.

Paneli fillon sonte prej orës 19:00 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Disa nga “Skorpionët” që kryen krimin, janë dënuar në Serbi, shkruan KultPlus.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte. Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010.

Saranda, Jehona e Fatosi, mbajnë mend që familjen e tyre ta kenë sulmuar 15-16 persona të uniformuar.

Më 28 mars 1999, ditën kur u vranë Bogujevcët e Duriqët, aviacioni i NATO-s, kishte hyrë në ditën e katërt të bombardimit të ish-Republikës Federale Jugosllave, pikërisht për shkak të dhunës, vrasjeve dhe deportimit të shqiptarëve. /KultPlus.com

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme