Mbrohen në heshtje të akuzuarit për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Izraelit

Të akuzuarit për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Izraelit, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë vendosur të mbrohen në heshtje ndaj akuzave me të cilat ngarkohen.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur këtë aktakuzë ndaj Kenan Plakaj, Besart Peci, Arton Ahmetaj, Visar Istrefi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi dhe Leutrim Musliu, pas pretendimeve se në gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, që ishte zhvilluar në qytetin e Shkodrës, në nëntor të vitit 2016, nëntë persona, tash të akuzuar, kanë planifikuar të kryejnë sulm terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve izraelit.

Në seancën e së martës, Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi dhe Leutrim Musliu, të akuzuar për terrorizëm, kanë thënë se do të mbrohen në heshtje.

Ndryshe, tre nga nëntë të akuzuarit, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj dhe Besart Peci, e kishin pranuar fajësinë për veprat me të cilat i ngarkon prokuroria në fazat e mëhershme të procedurës, ndërsa të akuzuarit tjerë, Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi dhe Leutrim Musliu, në vazhdimësi janë deklaruan të pafajshëm.

Pas deklarimit të të akuzuarve se do të mbrohen në heshtje, si prova materiale në seancën e së martës, u prezantuan fotografitë e të akuzuarve, CD-të dhe raporti i policisë i muajve tetor-nëntor, me të cilat, sipas pretendimeve të prokurorisë, janë shpeshtuar shumë kontaktet e të akuzuarve ndërmjet vete.

Lidhur me këtë provë, prokurorja e rastit, Merita Binaj-Rugova, theksoi se midis Visar Ibishit dhe Burim Istrefit, ka pasur gjithsej 90 kontakte telefonike, prej të cilave sipas saj, gjysma ishin gjatë muajve tetor-nëntor, gjegjësisht gjatë kohës për të cilën ishte planifikuar sulmi.

Këtë provë, e ka kundërshtuar avokati mbrojtës i Ibishit, Ali Latifi, sipas të cilit, kjo provë, sipas nenit 7 të Kodit Penal të Kosovës, nuk paraqet provë me të cilën vërtetohet një vepër penale dhe se me të pretendohet se klienti tij, kishte pasur kontakte me shokun e tij të klasës e të fshatit dhe kontaktet me të janë krejtësisht normale.

Edhe mbrojtësit e tjerë, e kanë kundërshtuar këtë propozim, duke thënë se nuk provojnë fajësinë për të mbrojturit e tyre.

Prokurorja Binaj-Rugova, prezantoj si provë edhe substancat e gjetura në shtëpinë e Ibishit, që janë konstatuar se janë mjete eksplozivë, në marrjen e të cilave është angazhuar edhe KFOR-i, si dhe mjetet tjera të gjetura në shtëpinë e Kenan Blakaj.

Në lidhje me këtë provë, avokati Latifi, tha se e gjithë procedura e marrjes së kësaj prove ka shkuar në mënyrë jo të ligjshme, në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ku saktësohen se cilat janë prova të besueshme, të cilave gjykata ju jep përparësi.

Prova e fundit e prezantuar në këtë shqyrtim gjyqësor, ishte raporti hetues i policisë kufitare, me të cilën, sipas prokurorisë, vërtetohet së të akuzuarit kanë shkuar në Shkodër, ku ishte planifikuar të ndodh sulmi, përmes pikës kufitare Qafë-Morinë, dhe se i akuzuari Lulzim Gashi, sipas prokurores, kishte shkuar në Siri, gjë që siç ka thënë ajo, fakt të cilin e kishte pranuar edhe vet.

Provën e fundit e ka kundërshtuar avokati Latifi, sipas të cili, ajo duhet të hudhet poshtë si e pabazuar, sepse sipas tij, nuk ka nevojë që dikush të paraqitet në polici që ta kalojë kufirin, dhe se lëvizja është e pakufizuar.

Vërejte pati edhe mbrojtësi i Lulzim Gashit, avokati Bekim Sylejmani, sipas të cilit nga evidencat e kalimit të kufirit, shihet se Gashi ka udhëtuar nga Prishtina për në Stamboll, por nuk ka asnjë dëshmi që i klienti i tij ka vazhduar udhëtimin për në Siri, dhe së deklaratën me të cilën e ka pranuar se ka udhëtuar për në Siri, e ka dhënë nën detyrim.

Në këtë rast, ka përfunduar prezantimi i provave dhe seanca e radhës ku do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve do të mbahet më 15 maj 2018, duke filluar nga ora 09:30.

Ndryshe, në dy seancat e fundit që ishin mbajtur në këtë rast, më 2 dhe 20 shkurt të këtij viti, gjykimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, pas kërkesës që kishte bërë prokurorja Merita Binaj-Rugova, e të cilin e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Propozoj që të përjashtohet publiku dhe mediat pasi dëshmitarët janë zyrtarë policorë nga Njësia Kundër Terrorizmit dhe pasi në këtë seancë do të prezantohen prova nga masat e hetimit dhe vëzhgimit dhe më këtë dëshmitarëve do tu rrezikohet siguria e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre”, kishte thënë prokurorja, kur kishte kërkuar mbylljen e këtij gjykimi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Lavdrim Muhaxheri, përmes kontakteve të rregullta me të akuzuarin Visar Ibishi, i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli, të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, nëntorin e 2016-ës.

Prokuroria pretendon se këto komunikime janë kryer duke përdorur një aplikacion të internetit të quajtur “Telegram”.

Sipas kësaj, të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të terrorizmit.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit e tjerë, të cilët e kishin pranuar fajsinë, Arton Ahmeti dhe Lulzim Gashi, e kanë shfrytëzuar të njëjtin aplikacion për të komunikuar me Lavdrim Muhaxherin, me qëllim që gjatë tetorit të kryenin sulme terroriste brenda Kosovës, ashtu që kanë planifikuar sulm terrorist-atentat në ndërkombëtarët ose në institucionet e sigurisë.

Prokuroria pretendon se pjesë e këtij organizimit ishte edhe blerja e armëve për grupin, me paratë që do të siguroheshin nga Lavdrim Muhaxheri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky grup kishte arritur të prodhonte eksploziv (materiale plasëse) në shtëpinë e të akuzuarit, Kenan Plakaj.

Aktakuza e prokurorisë pretendon se i akuzuari Lulzim Gashi, ka marr pjesë aktivisht për dy javë në radhët e organizatës terroriste “Al Nusra”, duke kryer veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrje në grupet terroriste.

I akuzuari Besart Peci, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa i akuzuari Leotrim Musliu, akuzohet për armëmbajtje dhe për veprën penale të fshehjes ose moslajmërimit të terroristëve dhe grupeve terroriste./Betimiperdrejtesi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme