Deputetja e grupit parlamentar 6+ në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje ka folur për “Gazeta Blic”, rreth zhvillimeve të fundit në skenën politike. Më saktë rreth daljes së Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës.
Deputetja Balje, theksoi që arrestimi i Marko Gjuriqit në Kosovë, nuk duhet të ketë ndikim aq të madh sa që vendi të hyjë në një krizë institucionale.
Ajo përsëriti se deputetët e Listës Serbe, duhet të kthehen në punë, dhe të punojnë për interesin e komunitetit serb në Kosovë.
“Unë i respektoj shumë deputetët e Listës Serbe, por mendoj që ata duhet të kthehen shumë shpejt në punë, dhe të punojnë për interesin e komunitetit serb në Kosovë, krejt çka ka ndodhë për Marko Gjuriqin nuk janë aq të mëdha sa që të hyjmë në një krizë institucionale, ne jemi shtet stabil edhe në politik gjithmonë ka mundësi më gjete zgjidhje”, pohoi deputetja për “Gazeta Blic”.
Deputetja Balje, bëri thirrje që deputetët e Listës Serbë të kthehen në Kuvend dhe ta respektojnë ligjin. Ajo theksoi edhe një herë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë zgjidhje.
“Deputetët duhet të kthehen, dhe ta respektojnë ligjin sepse ata janë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtar të Qeverisë. Unë mendoj që nuk duhet të kemi krizë institucionale, apo zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka përfunduar deklaratën deputetja Balje.
Por pesimist sa i përket kthimit të deputetëve të Listës Serbe është shprehur analisti Krenar Shala.
Ai tha për “Gazeta Blic”, se largimi i Listës Serbe i ka paraprirë një marrëveshje të fshehtë në mes të PDK-së dhe LDK-së, për udhëheqjen e Qeverisë.
Shala vlerësoi se jetëgjatësia e Qeverisë Haradinaj është shumë e shkurtë.
“Mendoj që largimi i Listës Serbe i ka paraprirë një marrëveshje të fshehtë në mes të PDK-së dhe LDK-së për udhëheqjen e Qeverisë. Kjo qeveri nuk e ka jetën e gjatë kur e dijmë që kjo qeveri është bërë për demarkacion, dhe tanimë kjo teme ka përfunduar”, theksoi Shala për “Gazeta Blic.
Ndërsa, largimi i Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj, erdhi si pasojë e arrestimit të Marko Gjurqit ditë më parë në Kosovë.
Gjuriq u arrestua në Mitrovicë, pasi që nuk kishte leje nga autoritetet kosovare për të realizuar një vizitë në Kosovë, shkruan Gazeta Blic.
Pas këtij arrestimi, Lista Serbe ka vendosur që të largohet nga Qeveria.
Rreth largimit të Listës Serbe është deklaruar edhe kryeministri Haradinaj. Ai ka thënë që pret shumë shpejt që Lista Serbe të kthehet në Qeveri.
Ndërsa ka përsëriturise nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme./Gazeta Blic./