Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka takuar ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini me të cilin ka folur për taksën rrugore për Rrugën e Kombit, taksë kjo, e cila po konsiderohet e papërballueshme për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, të cilët kanë qarkullim të vazhdueshëm në rrugën e Kombit.
Lekaj potencoi edhe një herë se nuk është i pajtimit me këtë taksë të papërballueshme për standardin tonë.
“Ne si Ministri e Infrastrukturës i kemi marrë me shqetësim gjitha ato ankesa të qytetarëve të Kosovës, sa i përket tarifës rrugore të autostradës së Kombit. Ajo që mund të them, është se ne nuk jemi njoftuar paraprakisht dhe as nuk jemi konsultuar me Qeverinë shqiptare për këtë rast nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë zoti Gjiknuri”, tha ai.
Ndërsa ambasadori e njoftoi Lekajn lidhur me takimin e tij me ministrin e Infrastrukturës dhe energjisë Demian Gjiknuri, të cilit ia ka përcjellur letrën, dhe i ka kërkuar një takim në kohën më të shkurtër të mundshme për t’i trajtuar këto gjëra.