Agjentët e Gardës Civile kanë shkatërruar një rrjet multietnik që organizonte trafikimin e emigrantëve klandestinë nga Spanja në Britani. Grupi kriminal, i cili kishte në përbërje edhe shtetas shqiptarë, kishte baza në vende të ndryshme të Europës.
Autoritetet spanjolle kanë njoftuar këtë të mërkurë se kanë asgjësuar një grup kriminal që merrej me organizimin e emigracionit klandestin nga Spanja në Britani, në radhët e të cilit kishte edhe shtetas shqiptarë. Në kuadër të operacionit, i kryer nga agjentët e Gardës Civile dhe Europolit, janë arrestuar 7 persona, shtetas shqiptarë, irakenë dhe spanjollë.
Sipas njoftimit të autoriteteve të Madridit, grupi në fjalë lehtësonte hyrjen në territorin britanik për emigrantët ilegalë përmes trageteve që niseshin për në Mbretërinë e Bashkuar nga portet e qyteteve Santander dhe Santurtzi, në rajonin bask. Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerjen e krimeve ndaj të drejtave të qytetarëve të huaj.
Në kuadër të operacionit, efektivët e Gardës Civile kanë bastisur tre banesa, dy nga të cilat përdoreshin për të fshehur emigrantët para se t’i hipnin trageteve. Gjithashtu janë sekuestruar telefonë të shumtë celularë, kompjuter, karta krediti, para, si dhe karta identiteti dhe pasaporta të shtetësive të ndryshme.
Hetimi i autoriteteve iberike nisi pas konstatimit të rritjes së numrit të shtetasve shqiptarë që përpiqeshin të siguronin akses në portin Santurtzi. Në vijim të hetimit, agjentët zbuluan se grupi kriminal transferonte ilegalisht emigrantë, kryesisht shtetas shqiptarë por edhe nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Pakistani.
Trafikantët i ndihmonin emigrantët të fshiheshin në kamionë dhe automjete të tjera që hipnin në traget, si dhe në konteinerët e kompanive tregtare që niseshin në rrugë detare për në Britani. Zyrtarët spanjollë kanë deklaruar se organizata kishte celula në vende të ndryshme të Europës, si në Francë e Belgjikë, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar.