Është shtyrë për 11 prill mbajtja e seancës ndaj tre dyshimtëve pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”.
Shtyrja është bërë për shkak se në seancën gjyqësore të caktuar për sot, ka munguar i dyshuari Bajrush Konjusha, raporton Koha Ditore.
Më herë në Gjykatë, me duar të lidhura ishin sjellë Murat Jashari, Avni LLumnica dhe Sadri Ramabaja.
Dyshohet që ata të jenë pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit” e cila kishte përpiluar një listë emrash që sipas saj duhej likuiduar për siç thotë, “tradhti kombëtare”.
Të akuzuarit e tjerë, janë duke u mbrojtur në liri ose nën masën e arrestit shtëpiak. Gjithsej janë 10 të akuzuar, të dyshuar si anëtarë të Organizatës “Syri i Popullit”.
Kjo ishte e seanca e parë ndaj tyre.
Para se të mbyllet seanca, Fehmie Gashi-Bytyqi, avokate e të akuzuarit, Murat Jashari, i ka kerkuar gjykatës që t’ia mundësojë klientit të saj te mos vijë në seancat e radhës, për shkak të gjendjes së rëndë mentale. Mirëpo, këtë e ka kundërshtuar prokurori Sylë Hoxha, duke thënë se nga ekspertiza mjekësore që i është bërë Jasharit, është konstatuar se është i aftë për të marrë pjesë në seanca gjyqësore.
Trupi gjykues e refuzon propozimin e avokatës Gashi-Bytyqi.
Murat Jashari dhe Avni LLumnica akuzohen si të dyshimtë për tentim vrasjen e avokatit Azem Vllasit.