Pensionistët i shkruajnë Qeverisë: Jemi ngopur me premtime fushatash

Përmes një letre të hapur, drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe opinionit të gjerë, të cilën sot e ka publikuar “Koha Ditore”,

Lidhja e Pensionistëve të Kosovës publikisht shpreh pakënaqësi, indinjatë dhe revoltë për qëndrimet indolente të strukturave si të Qeverisë, të Kuvendit, por edhe të partive politike, të cilat tani e 18 vjet nuk janë të gatshme që problemeve jetike të pensionistëve t’u kushtojnë kujdesin e duhur.

Në vazhdim teksti i plotë i letrës së Lidshjes së Pensionistëve të Kosovës:

Të flasësh për fatin e pensionistëve në Kosovë pas vitit 1999/2000 do të thotë të vajtosh për së vdekuri ata pensionistë, të cilët që nga muaji maj 1999 mbetën pa pensione kontributdhënëse dhe nuk patën fatin që të gjallë të gëzojnë pensionet e merituara nga puna dhe djersa e tyre (as ata vetë, por as familjet dhe fëmijët e tyre), do të thotë edhe të qash hallet e pensionistëve, të cilët akoma jetojnë, por me dinjitet të nëpërkëmbur, me përbuzje e injorim dhe shpresa të thyera.

Zotërinj pushtetarë, kthjelluni dhe shihni se sa e padrejtë dhe sa e dhimbshme është gjendja jonë, mësoni se 17 gjenerata të pensionistëve, me normë të lartë të mortalitetit, afro 4,2%, ose me numra – 25.000 pensionistë vdiqën pa e realizuar të drejtën në pension të fituar me punë, të drejtën që u takonte në bazë të të gjitha konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtës së përcaktuar edhe në Kushtetutën e Kosovës. Ata në lirinë e ëndërruar dhe për të cilën kishin investuar mund, dije e ç’kishin, vdiqën në varfëri të skajshme, me një pension linear nga 28, 45 e deri 112 euro.

Për pensionistët e gjallë të para vitit 1999 u bë një korrigjim në vitin 2016, si zëvendësim i sistemit për sigurim pensional-invalidor, i cili as për së afërmi nuk siguron pozitën socio-ekonomike të merituar të pensionistit.

Zotërinj të nderuar,

Edhe Ju e dini se sistemi për sigurim pensional-invalidor “gjenerata e financon gjeneratën” në Kosovë u përjashtua pa të drejtë me arsyetim se tani “TRUSTI” do ta zëvendësojë suksesshëm, por ndodhi “befasia” publike se Trusti – tani Fondi për kursime pensionale, nuk merr kurrfarë përgjegjësish për pensionistët aktualë. Ligji obligon punëdhënësin dhe të punësuarin që të ndajnë 5 + 5% nga të ardhurat personale për Trustin, ku grumbullohen mjete financiare, të cilat tashmë kanë arritur shumën prej 1.7 miliardë euro, dhe ato deponohen në tregjet financiare të qendrave të mëdha botërore dhe vetëm shuma simbolike në Kosovë. Kështu, efektet financiare për ekonominë e vendit janë të pakonsiderueshme, kurse siguria e tyre në kushtet e tanishme gjeopolitike dhe mënyra e menaxhimit – të dyshimta, ndërsa pensionistët e para vitit 1999 i mbetën “në qafë” buxhetit të vendit, i cili asnjëherë nuk është i mjaftueshëm për zgjidhje të sigurimeve pensionale, shëndetësore etj. për gjeneratën e tretë.

Duhet theksuar se në të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia sistemi pensional ka mbetur në parimet e mëparshme, të njohur si sistem i “Bizmarkut”, ose sisteme të kombinuara me fonde vullnetare për kursime pensionale. Por, nuk ka shembull më të papranueshëm dhe më pak human se ky në vendin tonë.

Si mund të shpjegohet – kur Fondi tani posedon afro 1.7 miliardë euro, të cilat po të kuantifikoheshin me koston e pensionistëve kontributdhënës, nga ato globalisht mund të paguheshin pensionet për 17 -18 vjet, ose mjetet e grumbulluara të Fondit vetëm gjatë vitit 2017 arritën shumën prej afro 180 milionë euro, të cilat do të mjaftonin për pagesën e pensioneve për më shumë se 19 muaj etj.

Drejtori menaxhues dhe anëtarët e Bordit të Trustit veç e veç brenda muajit realizojnë afërsisht 28 pensione mesatare të pensionistit kosovar.

Nuk është e tepërt nëse theksojmë edhe të dhëna krahasuar me standardet e përcaktuara nga Banka Botërore, sektori për luftimin e varfërisë. Kështu, mbi 52% e pensionistëve të Kosovës, që kanë 4 anëtarë të familjes, jetojnë nën pragun e varfërisë.

Prandaj, Lidhja e Pensionistëve të Kosovës publikisht shpreh pakënaqësi, indinjatë dhe revoltë për qëndrimet indolente të strukturave si të Qeverisë, të Kuvendit, por edhe të partive politike, të cilat tani e 18 vjet nuk janë të gatshme që problemeve jetike të pensionistëve t’u kushtojnë kujdesin e duhur. Njëherësh atyre që sot janë vendimmarrës ua kujton se nuk do të ishin këta që janë po të mos ishin ata, tani pensionistë e dikur muratorë, xehetarë, mësues, profesorë, mjekë, inxhinierë… por edhe se nesër po ashtu do të bëhen pensionistë.

Ne kërkojmë që të ndërpriten premtimet boshe, arsyetimet e pakripë se “pensionet tuaja i plaçkiti Serbia”, se rritjen e pensioneve nuk po e lejojnë Fondi Monetar Ndërkombëtar, ose Banka Botërore, sepse pensionistët kërkojnë pensionin ekuivalent me punën e vet nga shteti i vet, nga Kosova.

Ju lusim o NJERËZ, kuptoni se pensionet janë kategori ekonomike, janë borxh e jo “sadaka”, jo lëmoshë.

Pensionistët janë ngopur me pranime kurtuazie, me premtime fushatash, atyre u është amortizuar durimi, prandaj lusim të mos lejoni që ata të hidhen në grevë e të vdesin në sheshe, ose në greva urie si dikur minatorët e “Trepçës”, por për motive të tjera, ose të ndërmarrin ndonjë aksion tjetër fatal.

Gjatë vitit delegacionet e pensionistëve u kanë drejtuar më shumë se 86 letra strukturave dhe personaliteteve kompetente, kanë organizuar 16 pranime në nivele të larta (Kuvend, Qeveri, ministri etj.), por të gjitha pa ndonjë.

Pensionistët nuk bëjnë presion në Kuvend me ofendime e kërcënime, ose forma tjera të dhunshme, për të pasur efekt që menjëherë të bëhen ndryshime dhe plotësime të ligjit për t’iu mundësuar edhe rroga edhe pensioni. Pensionistët kërkojnë drejtësi sociale në kuadër të të gjitha parimeve dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.

Me respekt,

Kryesia e Kuvendit të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme