Pse i shpëtoi shkarkimit Shpend Maxhuni?

Pas operacionit të kidnapimit të 6 gylenistëve, që po konsiderohet si operacion i turpit, shkuan kokat e ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefit të AKI’së, Driton Gashi. Edhe pse e gjithë kjo ishte urdhëruar nga Hashim Thaçi dhe e ekzekutuar nga drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, kjo dyshe shpëtuan pastër. Përderisa për rrëzimin e Thaçit edhe më tutje s’ka asnjë nismë në Kuvend, kryeministri Haradinaj u tregua selektiv në shkarkime, duke mos ia larguar nga dora Thaçit veglën e tij në Polici.
Kryeministri Haradinaj në seancën e sotme në Kuvend ka treguar se kishte kërkuar informata rreth ngjarjes së djeshme nga të gjithë akterët e përfshirë, mes tyre edhe drejtorit të Policisë.

“Kam kërkuar informata shpjegimet ashtu siç e parasheh procedura me shkrim prej drejtorit të AKI’së, prej Ministrit të Brendshëm, ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Policisë”

Pas informatave që mblodhi Kryeministri, ai kërkoi dorëheqjen, sipas hierarkisë, të personave që janë nën urdhrat e tij. Nga këta, shpëtoi vetëm Maxhuni dhe natyrisht Presidenti i Vendit.

Në Qeveri besojnë se është i mjaftueshëm shkarkimi i ministrit të Brendshëm, që është mbi shefin e Policisë.

Por, me gjasw, Maxhunin nuk do të mund ta shpëtonte asgjë, përveç afërsisë me PDK’në dhe me Thaçin. Ky nuk është aksioni i vetëm që e kishte kryer binomi Thaci-Maxhuni as në këtë javë. Të hënëm kur Policia e Kosovës arrestoi zyrtarin e Serbisë në veri, Marko Gjuriq, Gazeta Express mësoi se e gjitha kishte qenë skenar i Thaçit i realizuar në zyrën e tij ku kishte ftuar ministrin Sefaj dhe drejtorin e Policisë dhe u kishte dhënë komandat. Tutje Maxhuni orkestroi lëvizjet e policisë sipas kërkesës së shefit.

Edhe pse Kryeministri në Kuvend tha se ka shkarkuar iniciuesin e operacionit ku i rrëmbyen fshehtas dhe u dëbuan gjashtë gylenistë, Gazeta Express nga burimet e veta mësoi se në krye të këtij akisoni ishte presidenti Thaci. Ai përdori njerëzit e tij në krye të institucioneve të sigurisë për kryer aksionin sipas kërkësës që i kishte bërë Recep Tayyip Erdogan gjatë një vizite të Thacit në Turqi në dhjetor të 2016’ës.

Për arrestimin e gjashtë gylenistëve kokat e të cilëve i kërkonte Erdogani nuk ishin informuar kryeministri Haradinaj. Madje kur ky deklaroi se ka shkarkuar Sefajn tregoi se plani për arrestimet e djeshme ishte bërë prej të premtes e ministri ia kishte mbajtur të fshehur edhe përkundër që ishin takuar dy herë gjatë javës.

Gylenistët konsiderohen nga pushteti i Erdoganit si terroristë dhe përgjegjës për tentim-puçin ndaj tij. Ndryshe nga Kosova që i deportoi 6 shtetasit turqit, asnjë vend i Bashkimit Evropian dhe as SHBA nuk ka ekstraduar në Turqi asnjë gylenistë pasi shteti turk ka dështuar të ofrojë prova të mjaftueshme se kundërshtarët e Erdoganit kanë kryer ndonjë vepër terroriste. /Express/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme