Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e sotme parlamentare, deklaroi se “deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova nuk ka shkelje ligjore, por gabimi është se është vepruar pa i informuar krerët shtetëror”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në seancën parlamentare ku shefat e grupeve parlamentare diskutuan rastin e arrestimit dhe deporetimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi, kryeministri Haradinaj poashtu tha se Kosova ka interes për një partneritet sa më të mirë me Turqinë.
Ai theksoi se të gjashtë të arrestuarit në mesditën e djeshme kanë qenë në Turqi, ndërsa transporti dhe çdo gjë tjetër ka qenë e organizuar paraprakisht.
“Republika e Kosovës ka respekt për Republikën e Turqisë. Pra, është një vend që e ka njohur Kosovën që në nisje të pavarësisë sonë. E ka përkrahur planin tonë ndërkombëtar. Po ashtu në Turqi jetojnë miliona shqiptarë me origjinë nga vendi ynë dhe kemi interes për një partneritet sa më të mirë me Republikën e Turqisë”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj theksoi se pas konsultimeve në orat e vona të ditës së djeshme me presidentin dhe me kryetarin e Kuvendit, ka vendosur të kërkojë lirimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, Flamur Sefa dhe drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, me arsyetimin se ka ndodhur një shkelje e hierarkisë.
“Inicimi i kësaj procedure, pra për revokim të lejeve të qëndrimit është bërë nga AKI-ja. Për shkak se personat e caktuar sipas të dhënave të AKI-t paraqesin rrezikshmëri për Kosovën, në bazë të këtij vlerësimi AKI ka bazë ligjore të kërkojë nga Ministria e Brendshme që të bëhet deportimi i menjëhershëm. Ky deportim i këtillë nuk ka shkelje ligjore, por ekzistojnë disa shkelje të tjera që janë shumë të rëndësishme. Është një gabim i madh ky veprim i tillë, pa hyrë në substancë se vërtetë a kanë qenë këta të rrezikshëm, problemi është se nuk janë informuar vendimmarrësit”, tha Haradinaj.
https://www.facebook.com/Almakos1/videos/2105390062835168/
KDTP: Këto arrestime kanë bazë juridike dhe nuk ka patur shkelje ligjore
Ndërsa, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Müferra Şinik, e cila foli lidhur me arrestimin e djeshëm të përgjegjësve të organizatës terroriste FETO në Kosovë, tha se arrestimi në fjalë është bërë në bashkëpunim të institucioneve të dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë.
Ajo tha se deputetët e KDTP-së besojnë se këto arrestime kanë një bazë juridike dhe askush nuk mund të pretendojë se ka patur shkelje ligjore lidhur me këtë rast.
Duke theksuar se personat e arrestuar nuk janë rrezik vetëm për shtetin e Turqisë, Şinik tha se: “Këta janë pjesëtarë të organizatës FETO të cilët përfundimisht mund ta rrezikojnë edhe Kosovën. Në këtë rast ne ndjehemi të shqetësuar për faktin se ministri i Brendshëm dhe drejtori i AKI-së janë fajësuar në mënyrë të padrejtë. Ne besojmë se marrëdhëniet midis dy shteteve, midis Kosovës dhe Turqisë tani e tutje do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyera”.
Dje Agjencia e Intelegjencës Turke (MIT) realizoi një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Ballkan, duke sjellë nga Kosova në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës. Gjashtë udhëheqësit dhe përfaqësuesit e një institucioni të njohur për afërsinë e saj me FETO-n, që vepron në Kosovë, janë kapur nga MIT përmes një operaconi të realizuar në bashkëpunim me intelegjencën kosovare.