Një ditë pas aksionit për arrestimin dhe deportimit e gjashtë gylenistëve nga Kosova, kryeministri Haradinaj ka shkarkuar dy drejtuesit e institucioneve kryesore të sigurisë në vend, shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë Driton Gashin dhe ministrin e Brendshëm Flamur Sefajn. Reagimet kanë vazhduar edhe dje për këto arrestime
Aksioni “sekret” i ndërmarrë nga institucionet e Kosovës të enjten në mëngjes, i cili rezultoi me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq, mësimdhënës dhe drejtues në rrjetin e shkollave “Mehmet Akif”, ka çuar në shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së Driton Gashi, shkruan Gazeta Zëri.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e mori këtë vendim nën arsyetimin se ai personalisht nuk kishte qenë i informuar për asnjë moment mbi atë që ndodhi.
Pavarësisht se ministri Sefaj vjen nga radhët e AKR-së, përfaqësuesit e këtij subjekti politik kanë thënë për “Zërin” se nuk do të dalin nga Qeveria.
Ndërkaq të painformuar sa i përket asaj që ndodhi të enjten, pos Hardinajt, u paraqitën edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e presidenti Hashim Thaçi.
Ky i fundit u akuzua nga opozita se ka qenë plotësisht në dijeni për skenarin e 29 marsit.
Sipas përfaqësuesve të opozitës, deportimi nuk mund të ndodhë assesi pa dijeninë e institucioneve të shtetit. Lidhur me këtë rast krerët e shtetit të Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar një takim urgjent, ku janë zotuar se raste të tilla nuk do të përsëriten asnjëherë më.
Ndërkohë, presidenti i shtetit turk Recep Tayip Erdogan ka deklaruar se të deportuarit (si të dyshuar për lidhje me Fetullah Gylen) do të japin llogari para organeve të drejtësisë turke.