Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta e ditës së sotme kundër taksës për rrugën e Kombit, është vetëm fillimi.
Duke publikuar dy video të përleshjes së protestuesve dhe policisë, Berisha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta mbështesin, siç e quan ai, revoltë popullore.
“Pamje nga mosbindja civile kunder ‘plaçkes Rama’ ne Rrugen e Kombit.
Ju bej thirrje qytetareve te mbeshtesin revolten popullore kunder taksave absurde. Edivn, ky eshte vetem fillimi! Sb Populli i thote JO ‘plaçkes Rama’!
Protesta te fuqishme kunder ‘plaçkes Rama’ ne Rrugen e Kombit, dhune e turpshme policore ndaj protesuesve, shume qytetare te plagosur. Sb”, -shkruan Berisha.
Në një prononcim për News24, Berisha u shpreh se Rama udhëhiqet nga urrejtje kombëtare, ndërsa I ka bërë thirrje të ndërpresë dhunën policore.
“I bëj thirrje qytetarëve të Kukësit, Hasit, të hedhin në një anë zgjedhën e taksave, që një njeri pa shpirt, i cili ka konsideratat më të ulëta për njerëzit e thjeshtë si tregoi rastin e fundit në parlament, i lejon vetes të përdorë çdo masë represive ndaj qytetarëve.
Rruga e Kombit është Rruga e Kombit dhe s’është as e Ramës as e klikës në pushtet. Ajo ka një mision të madh bashkimin e një kombi. “Placka” Rama është një akt i mirëfilltë antikombëtar me të cilën qytetarët s’duhet të pajtohen kurrë.
Rama udhëhiqet nga urrejtje kombëtare, i bëj thirrje të ndërpresë dhunën policore dhe të dijë mirë se ky është vetëm fillimi”, -tha Berisha.