Në një komunikim të drejtpërdrejte me News 24, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi vendoset në krah të protestuesve dhe e quan të pashembullt aktin e njërit prej policëve që shkelmonte një protestues të moshuar
“Kjo protestë është kundër politikave ekonomike të Ramës. I këshilloj protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë të protestojnë. Janë në të drejtë të Zotit, ata janë njerëz që vuajnë për bukën e gojës… Është e dhimbshme se si një djalë i ri, polic godet një të moshuar që del në të drejtë të Zotit të protestojë. Nuk mund të ngresh muret e izolimit për shqiptarët. Më e tmerrshmja ishte kërcënimi që bëri në facebook-un e tij”,- tha Kryemadhi, siç raporton “BalkanWeb”.
Ajo e sfidoi hapur kryeministrin, që të shkonte në Kalimash nëse ishte trim. Nga ana tjetër Kryemadhi tha se do t’ju gjendej pranë protestuesve nëse ata e kërkonin.
“Po të jetë aq trim le të shkojë ta mbrojë atë taksë, është taksa e Edi Ramës. Unë nuk jam në protestë, që të mos politizohet, por nëse ata do të duan, unë jam gati t’ju bashkohem”,- vijon Kryemadhi.