Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq ka thënë për rts se dje me kryetarin Aleksandar Vuçiq ka pasur një takim të gjatë rreth Kosovës. Ajo ka theksuar se Vuçiqin s’e ka parë kurrë aq të zhgënjyer me mos reagimet e partnerëve ndërkombëtarë rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë, transmeton Koha.net.
Bërnabiq ka thënë se situata lidhur me Kosovën është shumë e vështirë.
“Mendoj se e gjithë ajo që ka ndodhur në kohë të fundit është një precedent i llojit të vet. Edhe unë jam e brengosur dhe e zhgënjyer me mospasje reagimesh nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë ajo duke shtuar se Vuçiq u ka dërguar mesazh mjaft të qartë përfaqësuesve të BE-së e të SHBA-ës dhe se falë atyre mesazheve Gjuriq është liruar, porse, sipas saj, situata po bëhet gjithnjë e më rëndë.
Bërnabiq në vazhdim ka thënë se Prishtina e ka pasur përkrahjen absolute të partnerëve të vet dhe se do të ishte naive të besohej se në Prishtinë mund të bëhet ndonjë gjë pa përkrahjen e partnerëve më të fuqishëm.
Në pyetjen se cilët, janë ata, kryeministrja serbe ka thënë se të gjithë e dinë se cilët janë partnerët e fuqishëm të Kosovës.