Tre skenarët që iu propozuan Qeverisë së Shqipërisë për taksën e “Rrugës së Kombit”

Korporata financiare ndërkombëtare, IFC, pjesë e Bankës Botërore ka qenë konsulenti i qeverisë shqiptare për koncesionin mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.

Top Channel shkruan se ka siguruar raportin që IFC u ka dorëzuar autoriteteve shqiptare, ku ka studiuar tre skenarë të propozuar për këtë koncesion.

Dokumenti zbulon se hapat për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morinë kanë nisur me Qeverinë “Berisha”.
Në fakt ka qenë një propozim i subjekteve private për të investuar mbi 100 milionë euro, duke e bërë krejt rrugën me 2 korsi në çdo drejtim për tre vitet e para, kundrejt një tarife nga 8 deri 9 euro për automjet pa TVSH.

Ky skenar është i parealizushëm, sipas IFC, pasi përveç taksave të larta kërkon edhe para të tjera nga buxheti, së paku 4,5 milionë euro në vit, pothuajse gjatë gjithë koncesionit.

Skenari tjetër minimizon nivelin e investimeve nga privati duke i llogaritur rreth 23 milionë euro. Tarifat janë më të ulëta, rreth 4 euro pa TVSH për automjet, por ndërkohë kërkohet që të jetë Qeveria ajo që të bëjë një pjesë të investimeve. Por, sipas IFC, ky skenar ka pika të papërfunduara të projektit nga ana e Qeverisë duke e lënë atë të ekspozuar ndaj detyrimeve financiare dhe ligjore.

Skenari optimal i rekomanduar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare parashikon një investim nga koncesionari prej 34-37 mln/euro, subvencionim buxhetor 1 mln/euro në vit dhe taksa 5.3-5.9 euro për automjet (pa TVSH).

Sipas IFC, këto tarifa janë 10 për qind më të ulëta se në Kroaci e Bosnje dhe 30 për qind më të larta se në Maqedoni dhe Serbi.

Skenarët nuk kanë marrë për bazë raportin konfidencial të kompanisë Egnatia Odhos, që qeveria shqiptare pajtoi për bërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri.
Sipas këtij raporti, tarifa optimale për rrugët në Shqipëri është nga 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra, kurse sipas asaj që tashmë është vendosur, taksa për kalimin në rrugën Milot-Morinë është 4.2 euro për 100 kilometër, ose 2 deri në 4 herë më e lartë nga ajo që rekomandoi konsulenti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme