Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se me gjashtë qytetarët turq, institucionet e shtetit tonë e bënë atë që s’e ka bërë askush, ose e ka bërë pak kush, “rrezikohemi të na gjejë ajo që nuk e ka gjetur askënd në kontinentin e vjetër sot”.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “kur shteti udhëhiqet nga axhamitë, mirë nuk mund të ndjehet askush! Në situata të ngjashme, të pa skuqur janë vetëm njerëzit e pafytyrë!”
Postimi i Krasniqit në Facebook:
“Po me dhimbset e ardhmja e vendit tim
Duke dëgjuar broçkulla, thash: Njerëzit me dhimbsen shumë. Me dhimbsen edhe gjashtë turqit e dëbuar paligjësisht. Me dhimbsen edhe pse ishin punëtorë të arsimit. Por më shumë po me dhimbset shteti im, kushtetuta dhe ligjet e shtetit tim të nëpërkëmbura për pazare të pista. Te shtetit që në themelet e tija janë flijimet e brezave dhe flijimet biblike të gjeneratës sime. Me dhimbset aspirata e brezave për liri, çlirim, për pavarësi e sovranitet, për shtet demokratik.
Ne, që luftuam diktatura, është turp që të shërbejmë te gjithëpushtetshmin me paligjësi!
I frikësohem asaj që thotë populli: “Mos bënë çka s’ka bërë kush se të gjen ajo çka se ka gjet askënd!”
Me gjashtë qytetarët turq, institucionet e shtetit tonë e bënë atë që se ka bërë askush ose e ka bërë pak kush, rrezikohemi t’na gjënë ajo që nuk e ka gjetur askënd në kontinentin e vjetër sot. Pse ndodhi kjo?
Sepse kombi e shteti udhëhiqen nga axhamitë. Kur shteti udhëhiqet nga axhamitë, mirë nuk mund të ndjehet askush! Ne situata të ngjashme, të pa skuqur janë vetëm njerëzit e pafytyrë!
Mua s’po me dhimbsen 6 qytetarët turq, se ata një jetë e një vdekje kanë për të bërë në ketë botë. Po me dhimbset e ardhmja e Kosovës dhe fati i popullit tim në t’vetin rrugëtim. Po, po frikësohem dhe frikësohem shumë, nga ringjallja e shpirtrave të vasalizmit, që në shekuj na lan në robëri, na copëtuan si është më zi, e në fund na lan pa shtet e pa demokraci!
Po, me dhimbset fakti pse po na mungon reagimi qytetar kur tjetrit i bëhet padrejtësi! Frikësohem nga mungesa e pa ndjesisë njerëzore në vendin tim!”, (sic.), ka shkruar Krasniqi.