Ministria e Punëve të Brendshëm tashmë ka mbetur pa udhëheqës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e liroi ditë më parë Flamur Sefajn e AKR’së, nga posti si ministër në MPB pas zhvillimeve që ndodhën me gjashtë shtetasit turq. Por, edhe pasi Sefaj pranoi kërkesën për dorëheqje, Qeveria ende nuk ka vendosur se kush të jetë pasardhësi i tij.
Arrestimi dhe më pas kidnapimi i gjashtë gylenistëve për t’i dërguar ata në Turqi te presidenti Erdogan, çoi në shkarkimin e dy zyrtarëve të vendit. Ramush Haradinaj, duke mbetur anash për aksionin që iu ndodhi gjashtë shtetasve turq, nuk hezitoi që më pas të largojë nga detyra, ministrin e MBP’së, Flamur Sefajn dhe atë të AKI’së, Driton Gashin.
Por nga Qeveria e Kosovës, në një përgjigje drejtuar Gazetës Express, thonë se emërimi i pasardhësit të Flamur Sefajt nuk është diskutuar ende. Dhe kjo siç shprehen ata, do të ndodhë pas konsultimeve me partnerët e koalicionit.
“Nuk është diskutuar ende për këtë punë. Sigurisht që partnerët e koalicionit do të vendosin në ditët ne vijim”, kanë sqaruar nga Qeveria Haradinaj.
Njësoj deklarojnë edhe nga partia e Behgjet Pacollit, ministri i së cilës u shkarkua ditë më parë.
Nënkryetari i kësaj partie, Fatmir Matoshi, ka thënë për Express se nuk është vendos ende për këtë. Thotë se ai që do ta bëjë një gjë të tillë është kryetari i tyre, Behgjet Pacolli.
“Nuk mundem me thane saktë, është përgjegjësi e Presidentit Pacolli me propozu ministrin e ri. Presidenti nuk ndodhet në Kosovë”, ka bërë të ditur ai.
Aleanca Kosova e Re, përmes një njoftimi për media, pranoi të martën, se Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme që vjen nga partia e tyre, Flamur Sefaj, i është përgjigjur Kryeministrit të Kosovës në kërkesën për lirimin e detyrës, që i është drejtuar para disa ditësh dhe i ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e Ministrit.
Derisa e kanë bërë të ditur se Sefaj, në letrën e dorëheqjes, e ka informuar kryeministrin e Kosovës në detaje lidhur me procesin e deportimit të shtetasve turq dhe përfshirjen e tij në zbatim të ligjit në atë proces.
Sidoqoftë, gjithë aksioni që u bë ndaj gylenistëve i kushtoi deri më tani me shkarkim vetëm Flamur Sefajt. Mësohet se, shkarkimin e shefit të AKI’së, nuk po e lejon Presidenti Thaçi.
Gashi njihet si person shumë i afërt i shefit të shtetit. Presidenti nuk po e jep nënshkrimin e tij për ta miratuar lirimin e tij nga detyra. Hashim Thaçi edhe sot, refuzoi të flasë për Driton Gashin.