Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se duhet kërkuar mënyra për të rrëzuar nga pushteti presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Selmanaj ka thënë se Thaçi është shndërruar në kërcënuesin më të madh të stabilitetit të vendit, duke shtuar se ai po përdor gjuhë të diktaturës.
“Unë po kërkoj edhe njëherë që përmes komisionit hetimor që ta gjejmë një fakt të vetëm ose dëshmitar të vetëm kundër këtij presidenti, që të gjejmë mënyra se si ta delegjitimojmë dhe ta rrëzojmë nga pushteti sepse Kushtetuta e jonë vërtetë është e ngurtë për mundësinë që ta rrëzojë presidentin”, tha Selmanaj.
Sipas tij presidenti Thaçi po informohet nga rrugë të ndryshme për proceset që po ndodhin në Kosovë, duke përmendur kështu rastin e Marko Gjuriqit, financimin e Vetëvendosjes dhe së fundmi arrestimin e shtetaseve turq.
Selmanaj përmendi edhe deklaratat e Thaçit, i cili ditë më parë në një konferencë për media tha se Lëvizja Vetëvendosje financohet nga Irani.
“Kush e informon këtë person? Si është e mundur presidenti i vendit të ketë informata të tilla e mos t’i deponojë në organet e ndjekjes në Kosovë?”, tha deputeti i LDK-së.
Driton Selmanaj tha se Thaçi informohet nga AKI-ja pasi që sipas tij, ish zyrtarët dhe zyrtarët e tashmë të këtij institucioni janë pjesë e tij dhe e PDK-së.
“Mos u çuditni që Hashim Thaçi i di krejt këto. A dini pse? Ish-shefin e AKI-së, Bashkim Smakaj ai e ka sot këshilltarin e parë për siguri. Shefi aktual i AKI-së ka qenë anëtarë i kryesisë së PDK-së në Prishtinë. PDK-ja e ka kapë edhe AKI-në, SHIK-u – AKI-në në fakt. Mos u çuditni”, u shpreh Selmanaj duke shtuar se edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni janë pjesë e vizitave të shpeshta në Presidencën e Kosovës.
Deputeti i LDK-së e quajti presidentin Thaçi si kërcënuesin më të madh të stabilitetit të Kosovës.
“Presidenti i Kosovës është shndërruar në kërcënuesin më të madh të stabilitetit të Kosovës, të tashmes dhe stabilitetit të këtij vendi. Mund të thoni çka të doni, është gjuhë e diktatorëve kur thotë unë i kam informatat, unë e di ku ke fjetur, kush ka qenë”, tha Selmanaj.
Madje ai pati kritika karshi kabinetit Qeveritar duke thënë se po duan t’i prishin raportet e Kosovës me Amerikën, Perëndimin dhe tash së fundmi me Turqinë.
“Më 22 dhjetor kur ju e sollët Gjykatën Speciale këtu e rrezikuat raportin me Amerikën dhe Perëndimin. Tash më 29 mars jeni duke na sjell në një situatë shumë delikate, me u prish edhe me Republikën e Turqisë. More në shërbim të kujt jeni o vëlla, në shërbim të kujt jeni? More mos keni dika tjetër, mos jeni tu e bo lojën e dreqit që ky vend me të vërtetë ka me pasë pasoja të mëdha”, tha Selmanaj.