Inspektorati Komunal në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka konfiskuar sot afro gjysmë toni mish dhe nënprodukte të tij të prishura. Fillimisht Policia e Kosovës kishte njoftuar Inspektoratin Komunal për një transportues të dyshimtë me ç’rast më pas është konstatuar sasia me mishit të prishur, raporton Insajderi.
“Paraditen e sotme, Policia e Kosovës, kanë njoftuar drejtuesit e Inspektoratit Komunal për një mjet transportues i cili po barte mish dhe nënprodukte të mishit të dyshimta, me ç ‘rast inspektorët e veterinarisë dhe sanitar kanë dal menjëherë në vend të ngjarjes nga ku pas kontrollit të cilësisë së produktit që po bartej me këtë mjet transportues, kanë konstatuar se një sasi prej afro gjysmë toni mish dhe nënprodukte të tij janë të prishura, kjo për faktin se mjeti me të cilin po transportohej kjo sasi mishi nuk përmbushte kushtet e nevojshme higjieno-sanitare për ruajtjen e freskët të mishit dhe nënprodukteve të tij”.
“Pas ekzaminimit të produkteve, inspektorët përkatës kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për konfiskimin dhe asgjësimin e tyre dhe procedimin e mëtutjeshëm konform rregullativës ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.